Shqipëria

ODIHR çel misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri


Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) hapi sot një mision vëzhgues për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, pas një ftese nga autoritetet e vendit.

Misioni drejtohet nga ambasadorja Urszula Gacek dhe përbëhet nga një ekip prej 12 ekspertësh zgjedhorë, me qendër në Tiranë, dhe 24 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të lokalizohen në të gjithë vendin nga 26 marsi.

Misioni do të vlerësojë zgjedhjet për pajtueshmërinë e tyre me angazhimet e OSBE-së dhe detyrimet e standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike, si dhe me legjislacionin kombëtar.

Vëzhguesit do të monitorojnë nga afër: procesin e regjistrimit të votuesve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe organeve përkatëse qeveritare; legjislacionin në lidhje me zgjedhjet dhe zbatimin e tij, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të lidhura me zgjedhjet.

Gjatë vëzhgimit, misioni do të monitorojë edhe mbulimin mediatik të fushatës. Takimet me përfaqësues të shumtë të autoriteteve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile, medias dhe bashkësisë ndërkombëtare përbëjnë një pjesë të rëndësishme të vëzhgimit.

Për shkak të urgjencës së vazhdueshme shëndetësore të shkaktuar nga pandemia Covid-19 në të gjithë rajonin e OSBE-së dhe kufizimeve të lidhura të udhëtimit, ODIHR nuk është në gjendje të vendosë vëzhgues afatshkurtër përpara zgjedhjeve të 25 prillit siç ishte planifikuar fillimisht.

Formati i aktivitetit të vëzhgimit është përshtatur për një Mision të Kufizuar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (LEOM), i cili do të përfshijë vëzhgues afatgjatë të vendosur në të gjithë vendin.

Ndërsa anëtarët e misionit do të vizitojnë një numër të kufizuar të vendvotimeve ditën e zgjedhjeve, nuk do të ketë ndonjë vëzhgim sistematik të votimit, numërimit ose tabelimit të rezultateve.

Vetë ditën e zgjedhjeve, misioni vëzhgues i ODIHR do të bashkojë përpjekjet me delegacionet nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Një raport i ndërmjetëm do të publikohet për të përditësuar publikun dhe mediat gjatë vëzhgimit. Një ditë pas zgjedhjeve, një deklaratë e gjetjeve paraprake do të paraqitet në një konferencë për shtyp.

Afërsisht dy muaj pas përfundimit të procesit zgjedhor do të publikohet një raport përfundimtar, që përmbledh vëzhgimin dhe bën rekomandime për përmirësime.

Misioni i vëzhgimit ODIHR dhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri veprojnë veçmas në mandatet e tyre përkatëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore