Shqipëria

Ocean Sun riinstalon njësinë diellore lundruese 500 kWp në Shqipëri


Pas një vonese për shkak të motit të keq dhe kohës së gjatë të prodhimit të materialit, Ocean Sun dhe Statkraft përfunduan riinstalimin e lundruesit të parë 500 kWp në Shqipëri.

Ky lajm është konfirmuar zyrtarisht nga kompania edhe për Albanian Post.

Vënia në punë dhe lidhja me rrjetin është në pritje të dorëzimit të komponentëve të vegjël elektrikë ndërmjet lundruesit dhe transformatorit, sipas partnerëve.

Njësia diellore lundruese 500 kWp u dëmtua rëndë në qershor të vitit 2021, duke i detyruar zhvilluesit të nxjerrin njësinë në breg.

Pas një analize të plotë të shkakut rrënjësor për dështimin – nisur menjëherë pas incidentit – kushtet e motit u identifikuan si shkaku kryesor.

Shpejtësia e erës ishte mbi kriteret e projektimit të aplikuara për zgjidhjen e instaluar.

Pas analizës, specialisti norvegjez “Ocean Sun” zbatoi ndryshime të dizajnit të përshtatshme për erëra të forta dhe praktika të reja operacionale.

Këto janë verifikuar nga meteorologë dhe arkitektë detarë nga institucione të palëve të treta me reputacion të mirë, tha kompania.

Floater është pjesë e një projekti më të madh që po zhvillohet nga Statkraft dhe Ocean Sun, që përfundimisht do të shohë totalin e impiantit diellor lundrues 2 MWp të instaluar në rezervuarin e Banjës.

Pjesa e mbetur prej 1.5 MWp do të instalohet në një fazë të dytë më vonë gjatë vitit 2022, sipas Ocean Sun.

Ndërtimi i situatës

Më 5 maj 2021, kompania diellore lundruese, Ocean Sun, përfundoi së bashku me kompaninë Stakraft, fazën e parë të implementimit të një platforme lundruese mbi liqenin e Banjës, për prodhimin e energjisë diellore.

Më 3 qershor ndërkaq, platforma filloi zyrtarisht operimin tregtar. Në një fazë të dytë, pas testeve fillestare, pritej të vendoseshin edhe tre platforma të tjera të tilla.

Por, asokohe në lundrim mbi ujërat e liqenit të Banjës, nuk kishte më asgjë!

Disa raportime nga website-i i njohur i energjisë së rinovueshme, Offshore Energy, tregonin për një dëmtim madhor të strukturës, duke e lënë atë gjysmë të zhytur në ujë.

Albanian Post provoi të kontaktonte në atë periudhë me të dyja kompanitë, por asnjëra prej tyre nuk u përgjigj mbi çështjen.

Si u zhvillua faza e parë?

Faza e parë përfshinte ndërtimin e një lundruesi energjetik me diametër 68.8m dhe një prodhim energjie prej 0.5MWp.

Instalimi përfaqësonte së pari Ocean Sun, duke përdorur modelin e tij të ri. Ai përbëhet nga një sistem i vetëm tubash dhe ishte pothuajse dy herë më i madh se çdo instalim i mëparshëm, sipas kompanisë.

Përafërsisht 1 mijë e 600 panele u vendosën gjatë dy ditëve efektive të instalimit, informoi Ocean Sun.

“Instalimi i suksesshëm është një demonstrues i rëndësishëm i dizajnit dhe përparësive konkurruese të Ocean Sun. Kjo, si për komunitetin e hidrocentraleve, ashtu edhe për instaluesit e tjerë të mundshëm të diellit lundrues”.

Faza dy e projektit do të përfshinte instalimin e tre lundruesve shtesë me madhësi të barabartë.

Sipas Ocean Sun, ai synonte të ankoronte të katër unazat e shtrënguara së bashku, duke formuar kështu një tufë në formë diamanti.

Paraqitja e tillë e ankorimit, mundësonte shfrytëzim të mirë të zonës dhe dendësi të lartë të energjisë. Ndërsa, lundruesit individualë mund të ndanin ankorimin, duke siguruar përfitime të mëtejshme të kostos, pretendonte Ocean Sun.

Në dhjetor të vitit 2018, Statkraft Albania mori një autorizim paraprak nga qeveria shqiptare për zbatimin e një impianti diellor lundrues në Banjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore