Lajme

OBSH: Të moshuarit e pavaksinuar të shtyjnë udhëtimet


Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje të hapur ndaj të moshuarve të pavaksinuar dhe vulnerabël, të mos ndërmarrin udhëtime jo të domosdoshme përgjatë kësaj periudhe fundviti, pas shfaqjes së variantit të ri të COVID-19, Omicron.

Sipas OBSH-së, risku global nga varianti i ri është “shumë i lartë”.

Disa shtete të mëdha ndërkaq, kanë nisur kufizimet e radhës. SHBA-të, kanë vënë në punë një protokoll shumë më strikt për hyrje-daljet në territor amerikan.

Testimet për të hyrë në SHBA duhet të jenë kryer në 24 orët e fundit, pavarësisht vaksinimit ose jo të personave. Një periudhë ritestimi e udhëtarëve po shihet si e mundur gjithashtu. Fasha, pritet të jetë ajo e tre deri në pesë ditë.

Të tillë strategji po mendon të ndjekë edhe Japonia. Me dhjetë vende afrikane, udhëtimet janë mbyllur tërësisht për çastet kur flasim. Singapori nga ana tjetër, do të kërkojë përtej testit antigen edhe test PCR për të gjithë udhëtarët.

Vetë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se “është e kuptueshme që vendet të mbrojnë qytetarët e tyre nga një variant ende i panjohur”.

Gjithsesi, ai ka bërë thirrje për qetësi dhe për një përgjigje të koordinuar.

Masa kanë filluar të ndërmarrin edhe vendet evropiane, ku kryesoret mbeten ato të shtimit të vaksinimeve. Kufijtë brenda Bashkimit Evropian ende nuk janë mbyllur.

Megjithatë, një lëvizje e tillë, nuk është e përjashtuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore