Lajme

OBSH takohet për të diskutuar mbi vaksinën AstraZeneca


Ekspertët e sigurisë së vaksinave të Organizatës Botërore të Shëndetit do të takohen në 16 mars për të diskutuar mbi vaksinën Oxford-AstraZeneca Covid-19, ndërsa lista e vendeve që ndalojnë përkohësisht shpërndarjen e saj për shqetësimet e mpiksjes së gjakut vazhdon të rritet.

Të martën, Qipro, Luksemburgu, Letonia dhe Suedia u bënë vendet e fundit Evropiane që pezulluan përdorimin e saj, pavarësisht këshillave nga agjencitë ndërkombëtare mjekësore që përfitimet e marrjes së dozave të vaksinës tejkalojnë çdo rrezik të mundshëm.

OBSH të hënën u bëri thirrje vendeve për të vazhduar fushatat e vaksinimit, duke thënë se nuk kishte prova se vaksina shkaktonte komplikacione të mpiksjes.

“Që nga sot, nuk ka asnjë provë që incidentet janë shkaktuar nga vaksina dhe është e rëndësishme që fushatat e vaksinimit të vazhdojnë në mënyrë që të mund të shpëtojmë jetë dhe vijojmë jetën larg nga virusi,” tha zëdhënësi i OBSH Christian Lindmeier për CNN.

OBSH po vlerëson raportet e fundit të ngjarjeve tromboembolike, por tha se nuk ishte “i mundur” ndryshimi i rekomandimeve të saj.

Rregullatori i barnave në Evropë, Autoriteti Mjekësor Evropian (EMA), i cili autorizoi përdorimin e vaksinës për një bllok prej 27 vendesh, po mbledh një takim të posaçëm të enjten për të shqyrtuar informacionin e mbledhur nëse vaksina AstraZeneca ndikoi në mpiksjen e njerëzve të vaksinuar.

EMA gjithashtu ka këshilluar që të mos ndërpriten fushatat e vaksinimit ndërsa hetimet janë duke vazhduar, dhe e përsëriti të martën udhëzimin e saj.

“Aktualisht nuk ka asnjë indikacion që vaksinimi ka shkaktuar këto kondicione, ato nuk janë paraqitur në provat klinike dhe nuk janë renditur si efekte anësore të njohura ose të pritshme me këtë vaksinë,” tha drejtori ekzekutiv i EMA-s Emer Cooke në një konference shtypi digjitale të martën .

“Ne jemi akoma plotësisht të bindur se përfitimet e vaksinës AstraZeneca në parandalimin e Covid-19, me rrezikun që lidh shtrimet në spital dhe vdekjet, janë më të mëdha se këto efekte anësore,” tha Cooke, duke shtuar se ishte e shqetësuar se pezullimet do të ulnin besimin te vaksinat.

Por shumica e Evropës ka shkuar kundër kësaj këshille në ditët e fundit, duke ndaluar përkohësisht vaksinat AstraZeneca. Ndërsa kontinenti përballet me një valë të tretë të pandemisë, nxitur nga variantet e tjera të virusit, po përballet dhe me kritika për fushatat e ngadalta të vaksinimit.

AstraZeneca nuk është vaksina e vetme në dispozicion në Evropë. BE-ja ka autorizuar gjithashtu vaksinat BioNTech-Pfizer, Moderna dhe Johnson & Johnson.

Dozat e vaksinave BioNTech-Pfizer dhe Moderna aktualisht po shpërndahen te evropianët, por dërgesat e para të vaksinës Johnson & Johnson nuk pritet të mbërrijnë deri në mesin e Prillit.

Të martën, Pfizer ra dakord të përshpejtojë shpërndarjen e 10 milionë dozave të vaksinës së saj Covid-19 në BE, ditë pasi AstraZeneca tha se do të kishte një “mungesë” në dërgesat e planifikuara të vaksinave në bllokun evropian.

Vaksina AstraZeneca, e cila është autorizuar për përdorim në dhjetëra vende në mbarë botën, nuk i është dhënë ende drita jeshile nga rregullatorët e SHBA-ve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore