Lajme

OBSH për ndotjen e ajrit: Më e rrezikshme për shëndetin sesa mendohej


Mjegulla e mëngjesit mbështjell horizontin në periferi të New Delhi, Indi, 16 tetor 2020.

“Ndotja e ajrit është edhe më e rrezikshme nga sa mendohej më parë”.

Kështu ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pasi vërejti nivelet më të ulëta të ajrit, duke parë rritje të ndotësve kryesorë, siç është dyoksidi i azotit.

Sipas OBSH-së, rreth 7 milionë njerëz vdesin para kohe çdo vit nga sëmundjet që lidhen me ndotjen e ajrit.

Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme vuajnë më shumë, për shkak të mbështetjes së tyre në karburantet fosile për zhvillimin ekonomik.

“90% e njerëzve tashmë jetojnë në zona me një lloj ndotës veçanërisht të dëmshëm”, thekson OBSH-ja.

Kjo e fundit e vendos ndotjen e ajrit në një nivel me pirjen e duhanit dhe ushqimin e pashëndetshëm.

Ajo po u kërkon 194 shteteve anëtare të saj që të ulin emetimet dhe të ndërmarrin veprime mbi ndryshimet klimatike, përpara samitit të “COP26” në nëntor.

Udhëzimet e reja, të bëra publike për herë të parë të mërkurën, përgjysmojnë maksimumin e rekomanduar për ekspozimin ndaj grimcave të vogla të quajtura “PM2.5”.

Një autostradë, ndërsa smogu mbulon zonën e Lahore, Pakistan, 1 nëntor 2020.

Ato prodhohen nga djegia e karburanteve në prodhimin e energjisë, ngrohjen shtëpiake dhe motorët e automjeteve.

“Pothuajse 80% e vdekjeve të lidhura me ‘PM2.5’ mund të shmangen në botë, nëse nivelet aktuale të ndotjes së ajrit zvogëlohen në ato të propozuara në udhëzimin e përditësuar”, thuhej në raportin e OBSH-së.

Ndërkohë kjo, sipas saj, po zvogëlon gjithashtu kufirin e rekomanduar për një klasë tjetër të mikro-grimcave, të njohur si “PM10”, me 25%.

Ndotës të tjerë të veçuar në udhëzime përfshijnë ozonin, dyoksidin e azotit, dyoksidin e squfurit dhe monoksidin e karbonit.

Ndotja e ajrit është e lidhur me kushte të tilla si sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru.

Te fëmijët, mund të sjellë probleme me mushkëritë, duke shkaktuar astmë të rënduar.

“Përmirësimi i cilësisë së ajrit mund të rrisë përpjekjet për zbutjen e ndryshimeve klimatike, ndërsa zvogëlimi i emetimeve, nga ana tjetër, do të përmirësojë cilësinë e ajrit”, përfundon OBSH-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore