Lajme

OBSH-ja shpall emergjencë globale për ‘linë e majmunëve’


Organizata Botërore e Shëndetësisë ka aktivizuar nivelin e saj më të lartë të alarmit për shpërthimin në rritje të lisë së majmunëve.

Kjo, duke e shpallur virusin një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë perëndimore, duke cituar deklaratën zyrtare të OBSH-së.

Emërtimi i rrallë do të thotë se OBSH-ja tani e sheh shpërthimin si një kërcënim mjaft të rëndësishëm për shëndetin global.

Sipas saj, nevojitet një përgjigje e koordinuar ndërkombëtare për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit dhe përshkallëzimin e mundshëm në një pandemi.

Megjithëse deklarata nuk imponon kërkesa për qeveritë kombëtare, ajo shërben si një thirrje urgjente për veprim.

OBSH-ja mund të lëshojë vetëm udhëzime dhe rekomandime për shtetet e saj anëtare, jo mandate.

Vendeve anëtare u kërkohet të raportojnë ngjarje që përbëjnë një kërcënim për shëndetin global.

Agjencia e OKB-së nuk pranoi muajin e kaluar të shpallte një emergjencë globale në përgjigje të lisë së majmunëve.

Por infeksionet janë rritur ndjeshëm gjatë disa javëve të fundit, duke e shtyrë kreun e OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus të lëshojë alarmin më të lartë.

Më shumë se 16 mijë raste të lisë së majmunëve janë raportuar në 75 vende deri më tani këtë vit, dhe numri i infeksioneve të konfirmuara u rrit me 77 për qind.

Kjo, nga fundi i qershorit deri në fillim të korrikut, sipas të dhënave të OBSH-së.

Përhapja aktuale e lisë së majmunëve është shumë e pazakontë sepse po përhapet gjerësisht në vendet e Amerikës së Veriut dhe Evropës ku virusi zakonisht nuk gjendet.

Historikisht, lija e majmunëve është përhapur në nivele të ulëta në pjesët e largëta të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore, ku brejtësit dhe kafshët e tjera bartnin virusin.

Evropa është aktualisht epiqendra globale e shpërthimit, duke raportuar më shumë se 80 për qind të infeksioneve të konfirmuara në mbarë botën në vitin 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore