Lajme

OBSH aprovon vaksinën Sinopharm


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka aprovuar përdorimin e vaksinës kineze të prodhuar nga kompania farmaceutike, Sinopharm.

Kjo do t’u hapë rrugë vendeve më të varfra, që të mbrohen nga Covid-19, duke qenë se vaksina e prodhuesit kinez është me kosto më të lirë se rivalët perëndimorë të Pfizer, Moderna apo AstraZeneca.

Tashmë, vaksina Sinopharm do të përfshihet edhe në skemën Covax – një iniciativë e OBSH-së për t’i dhënë qasje në vaksinim të gjithë vendeve.

Ndër vendet më të mëdha që do të përftojnë nga përdorimi i Sinopharm, është edhe India. Vendi i dytë me popullsinë më të madhe në botë, po përballet me një krizë të vërtetë për shkak të Covid-19.

Një hap tjetër pritet të merret edhe javën e ardhshme nga OBSH-ja. Vaksina nga prodhuesi tjetër kinez, Sinovac, pritet të shqyrtohet. Nëse ajo aprovohet, bëhet vaksina e shtatë që merr dritën jeshile nga OBSH.

Një vendim i tillë do të ishte shumë i favorshëm për Shqipërinë. Rreth gjysma e të vaksinuarve kanë marrë dozën Coronavax nga Sinovac.

Një skenar i tillë, mund t’i japë mundësinë Shqipërisë të përfshihet në pasaportën e vaksinimit evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore