Lajme

Objektivat e harruara në Arsim – Qeveria nuk ka realizuar asnjë nga ato që kishte listuar në programin qeverisës


Fotografi nga Albanian Post

programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, pos tjerash, thuhej se qeveria do të ofrojë në gjithë vendin shujta falas për fëmijë, banim të përballueshëm për mësimdhënësit që nuk e përballojnë dot, model të shpërblimit të performancës, futjen e lëndëve “logjika gjuhësore, logjika matematikore dhe mendimi kritik” dhe ndryshim të notimit, jo më me 1 deri 5, por vlerësim formal.

Rreth dy vjet kanë kaluar nga shpalosja e këtij programi, por të gjitha këto objektiva kanë mbetur në atë fazë që ishin në momentin e shpalosjes.

Në shkollat e Kosovës nuk ofrohen shujta falas, nuk ofrohet banim për mësimdhënësit që s’mund ta përballojnë, nuk ka ndryshuar kurrikula dhe as mënyra e notimit.

Në pyetjet e Albanian Post, edhe pas dy javë pritjesh, Ministria e Arsimit ka refuzuar të kthejë një përgjigje.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka konfirmuar për Albanian Post se “këto premtime fatkeqësisht kanë mbetur deri në momentin kur po ju shkruaj vetëm premtime”.

Ai është pesimist se do të ndryshojë diçka në të ardhmen.

“Bazuar në situatën aktuale të tilla do të mbesin”, pohon Jasharaj duke iu referuar eksperiencës së tij të fundit me qeverinë, kur nuk u morën dot vesh për shtesën për mësimdhënës prej 100 eurove, as pas më shumë se një muaj grevë.

“MASHTI tani e sa kohë në vend të angazhimit për të realizuar këto premtime më shumë po humb kohë në përpjekje për të dëmtuar unitetin e shkëlqyer të anëtarësisë së SBASHK-ut”, deklaron Jasharaj.

Programi qeverisës prej 61 faqesh, i prezantuar nga kryeministri Kurti, ndër prioritetet kryesore renditë ato të përmbledhura në pjesën “Arsimi dhe Shkenca”.

Në një nga nën-sektorët e kësaj pjese është premtimi për “Arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe i digjitalizuar”.

Aty thuhet se “do të ndryshojmë rrënjësisht paradigmën në arsimin fillor, duke e shqyrtuar mundësinë e zëvendësimit të notimit diferencial për klasat 1 deri 4 dhe zëvendësimit me vlerësimin formativ”.

Kurse “në arsimin parauniversitar logjika gjuhësore, logjika matematikore dhe mendimi kritik do të jenë pjesë e praktikave të mësimdhënies në të gjitha nivelet”.

Një nga objektivat e listuara është edhe kjo për shujtat.

“Do të ofrojmë në gjithë vendin shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën”, saktëson programi, bashkë edhe me premtimin se “do të ofrojmë edhe banimin për mësimdhënësit, me kosto të përballueshme”.

Për mësimdhënësit dhe në bashkëpunim me ta “do të sigurojmë një model të vlerësimit dhe shpërblimit të performancës”.

Albanian Post ka provuar të marrë një përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje, por njëjtë si qeveria, edhe nga LVV kanë refuzuar të flasin.

Kurse, për ish-ministrin e arsimit, Shyqyri Bytyqi, objektivat jo vetëm që nuk janë realizuar, por as që është filluar planifikimi i tyre.

“Nga kjo gjendje menaxhuese e krijuar është normale se nuk do të përmbushen objektivat dhe në këtë rast do të pësojë edhe dikasteri më i rëndësishëm qeverisës, Arsimi”, deklaron Bytyqi.

“Pra nuk ka shujta për fëmijë, sepse nuk ka as planifikim buxhetorë për ketë dhe nuk ka asnjë veprim infrastrukturor për ambientet e kuzhinave që do ishte një kosto goxha e madhe në mënyrë që të krijohen kushtet për dhënien e  shujtave të tilla”.

Sipas Bytyqi-it, edhe objektivat tjera në program, si kjo e shujtave, të njëjtin fat do ta kenë.

“Nga kjo qasje jo bashkëpunuese e krijuar nga Ministria e Arsimit me mësimdhënësit nuk pritet që të mundë të realizohet as premtimi për banim për mësimdhënësit të cilët kanë vështirësi në përballje me ketë kosto”, deklaron ish-ministri.

Bytyqi befasohet se si të paktën premtimi për shpërblimin e përformancës nuk është realizuar, meqë ai kujton se “infrastruktura ligjore për këtë dhe gradim të mësimdhënësve si njëri nga hapat drejt rritjes së përgjegjësisë dhe cilësisë është përfunduar në kohen tonë qeverisëse”.

Kur Vetëvendosje kishte fituar zgjedhjet me një shumicë absolute prej mbi 50 për qind të votave, duke arritur shifra të papara më herët në politikën kosovare Bytyqi thotë të ketë qenë i bindur se tani do ndërmarrin “hapin historik në reformat e nevojshme në arsim, në vendime te guximshme për arsimin”.

“Por si duket tashmë këto mundësi janë zbehur në masë të madhe”.

Për ekspertin e arsimit, Rinor Qehaja, disa nga premtimet, siç është ky me shujtat falas, mirë që s’është realizuar, sepse “nuk na janë dëshmuar me ndikim gjatë pilotimit në Komunë të Prishtinës”.

Çfarë do të donte të kishte parë të realizohej dhe çfarë Qehaja beson se është tejet e rëndësishme për reformimin e arsimit, ka të bëjë me “rishikimin e kurrikulës bërthamë”.

Ai shpreson shumë se “logjika të jetë shumë më prezente në plan programet mësimore dhe jo e kufizuar në një lëndë të vetme”.

Qehaja shpreson, por logjika nuk duket gjë kundi as në shkolla, as në mos-realizimin e objektivave që vetë qeveria i kishte prezantuar.

Ministria e Arsimit, prejse është ministre Arbërie Nagavci, e cila u dëshmua nga raportimet që edhe vetë ka diplomuar jashtëligjshëm, kryesisht është marrë me menaxhimin e krizave. Më e madhja, ajo e grevës nga mësimdhënësit, e cila është pezulluar përkohësisht, për siç kanë thënë nga SBASHK-u “me shpresën se qeveria reflekton deri në janar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore