Lajme

Objektiv i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO, thotë Osmani pas takimit me gjeneralin Hoppe


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Joachim Hoppe dhe drejtorin e ardhshëm të NALT, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein.

Sipas njoftimit për media nga zyra e presidentes, gjatë takimit, Osmani diskutoi një varg temash me të dy gjeneralë brigadash, duke u fokusuar në rëndësinë e maksimizimit të të gjitha përpjekjeve për zhvillimin, trajnimin dhe dërgimin e misioneve jashtë vendit të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s, e me qëllim përfundimtar anëtarësimin në këtë organizatë.

“Ky objektiv mbetet prioritet kryesor strategjik i politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare për Kosovën në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë”, tha Osmani.

Ajo potencoi se mbështetja e dhënë nga ekipi i NALT-it ka qenë e rëndësishme për ta ndihmuar Kosovën të arrijë përparim të dukshëm drejt synimit të saj për anëtarësim në NATO.

“Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të rëndësishëm në përmbushjen e misionit të NALT-it në Kosovë, Presidentja Osmani e dekoroi drejtorin në largim të NALT-it, gjeneral brigade Joachim Hoppe me Medaljen Presidenciale Ushtarake, për mbështetjen e jashtëzakonshme në ngritjen e kapaciteteve, edukimin dhe aftësimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s”.

Osmani ka potencuar se është e përkushtuar që të punojë ngushtë me NATO-n dhe të gjithë partnerët e saj për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e Republikës dhe rrjedhimisht të rajonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore