Lajme

Objektet pa leje në Brezovicë, “duhet të rrënohen”


Disa objekte në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

“Të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, që kanë tejkalime, si dhe objektet e ndërtuara në zonat e dyta duhet të rrënohen si dhe të kthehen në gjendjen e mëparshme”.

Kështu është shprehur Bajram Kafexholli, drejtori i Parkut Kombëtar “Sharri”, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për paraburgimin ndaj 10 të arrestuarve lidhur me rastin “Brezovica”.

Ai shtoi se Drejtoria për administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” është e “shqetësuar me zhvillimet në fushën ndërtimit dhe infrastrukturës brenda territorit të Parkut Kombëtar ‘Sharri’”.

“Konkretisht në zhvillimet e ndërtimeve të vilave, hoteleve, hapjen e rrugëve dhe infrastrukturës në përgjithësi, me theks të veçantë për zonën menaxhuese Brezovicë”, ka thënë Kafexholli për REL.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar vendosjen e masës së paraburgimin ndaj Bratisllav Nikolliçit, zyrtarit të Listës Serbe dhe ish-kryetarit të Shtërpcës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj

Në kërkesën për vendosjen e masës së paraburgimit thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Nikolliç, nga viti 2014 deri në tetor të vitit 2018 ka marrë para dhe dhurata në mënyrë të drejtpërdrejtë në këmbim të dhënies së lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, përkatësisht në zonën e dytë dhe të tretë në Brezovicë.

Prokuroria Themelore e Ferizajt njoftoi më 21 dhjetor se objektet që janë ndërtuar pa leje do të sekuestrohen përkohësisht.

Ndërkaq, Ministria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, ka thënë se lejet e ndërtimit të kategorisë së parë dhe të dytë i jep komuna, që do të thotë se vetëqeverisja lokale e Shtërpcës ishte përgjegjëse për dhënien e lejeve për shtëpitë e pushimit apo vilat në Brezovicë.

“Lejet jepen nga drejtoritë për urbanizëm, kurse ecuria e ndërtimit mbikëqyret nga inspektorati komunal. Inspektorati i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor kryen inspektime nëpër komuna lidhur me zbatimin e ligjeve në fusha të caktuara”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Urbanizmit.

Prokuroria dyshon se Nikolliç ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, por edhe “ka pranuar dhurata me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore”.

Nikolliç dyshohet se ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.

Aksioni në Shtërpcë: Vetura, armë e para, krejt çka konfiskoi policia

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, Departamenti i Krimeve Ekonomike, nën urdhrin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt,  të martën kanë zhvilluar një aksion në dymbëdhjetë lokacione të ndryshme në Kosovë, ku janë arrestuar dhjetë persona, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit, ushtrim të ndikimit dhe ndotje e degradim të mjedisit.

Shterpces

Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se aksioni i cili ka filluar në ora 6:00 të mëngjesit, është zhvilluar në Brezovicë, Shtërpcë, Ferizaj dhe Prishtinë.

“Gjatë një operacioni policor janë arrestuar dhjetë të dyshuar meshkuj kosovar, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat e lartcekura. Me urdhëresë të gjykatës janë kontrolluar 12 lokacione të ndryshme”, ka bërë të ditur policia.

Gjatë këtij aksioni, policia ka gjetur dhe konfiskuar para, armë, municion, vetura, aparat për prodhimin e kriptovalutave dhe pajisje të ndryshme elektronike.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Gjatë bastisjes janë konfiskuar: një sasi e konsiderueshme para të valutave të ndryshme, armë të ndryshme, një sasi e municionit, vetura, aparat për prodhimin e kriptovalutave si dhe pajisje të ndryshme elektronike. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, bëri të ditur policia.

Brevovice, terreni i skijimit

Kush tjetër u arrestua?

Pos Nikolliçit, Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, arrestoi edhe rreth dhjetë persona në Shtërpcë, mes të cilëve drejtorin e Urbanizimit dhe disa zyrtarë e pronarë ndërmarrjesh, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Ata dyshohen për veprat penale: marrje dhe dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Aksioni i koduar “Brezovica”, sipas Prokurorisë në Ferizaj, është zhvilluar në 12 lokacione në rajonin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës. Sipas autoriteteve, tetë nga të arrestuarit janë nga rajoni i Ferizajt dhe dy nga i Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore