Lajme

Numër i lartë i të infektuarve nga COVID-19, Moska hyn në izolim


Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, ka urdhëruar të enjten e 21 tetorit mbylljen e të gjitha shërbimeve jo të nevojshme në kryeqytetin rus, për të frenuar përhapjen e infeksioneve COVID-19, ndërsa fatalitetet nga virusi janë në rritje.

Në deklaratën e tij, Sobyanin shpjegon se “Moska do tё qёndrojë e mbyllur, duke filluar nga 28 tetori dhe 7 nëntori, ku puna e tё gjitha organizatave në territorin e saj do të ndalet”.

Një ditë më parë, presidenti Vladimir Putin njoftoi një pushim mbarёkombёtar me pagesё, qё nga 30 tetori për të frenuar infeksionet.

Sobyanin tha se të gjitha shitjet me pakicë jo-thelbësore, vendet e sportit dhe argëtimit, aktivitetet masive dhe shkollat do të mbyllen.

Të hapura do të qëndrojnë veç dyqanet, që shesin ushqime, ilaçe dhe produkte të tjera thelbësore.

Restorantet dhe kafenetë do të jenë hapur vetёm pёr ushqim me vete, thuhet në deklaratë.

Kryebashkiaku i argumentoi masat si të nevojshme, ndërsa sqaroi se “situata në Moskë po zhvillohet në skenarin më të keq”.

Në fillim të kësaj jave, Sobyanin u kishte thënë të mosvaksinuarve mbi 60 vjeç në Moskë të punonin nga shtëpia dhe kishte zgjatur vaksinimet e detyrueshme për punonjësit e shërbimit.

Rusia është vendi më i prekur i Evropës nga pandemia dhe po përpiqet të përmbajë një valë vdekjeprurëse mes niveleve të ulëta të vaksinimit.

Vetëm 35 për qind e popullsisë është vaksinuar plotësisht, pavarësisht se vaksina Sputnik V e ka vendlindjen aty dhe është gjerësisht e disponueshme.

Megjithëse po përdoret në dhjetëra vende, Sputnik V nuk është miratuar nga Bashkimi Evropian apo nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH).

Një ndihmës i ministrit rus të Shëndetësisë, Alexei Kuznetsov, tha për mediat vendase të enjten se data për një inspektim nga rregullatori i barnave i BE -së – Agjencia Evropiane e Barnave – “është ende duke u diskutuar”.

Rusia regjistroi të enjten 36 mijë e 339 raste të reja të virusit.

Putin të mërkurën tha se ashpërsia e shpërthimit ishte e lidhur me normat e vaksinimit të vendit që janë “për fat të keq” të ulëta.

Vdekjet e së enjtes sollën numrin zyrtar të vdekjeve të vendit nga sëmundja në 227 mijë e 389.

Por, shifrat e publikuara nga agjencia statistikore Rosstat në tetor japin një tablo shumë më të errët, duke sugjeruar se më shumë se 400 mijë  kanë vdekur deri tani në vend nga coronavirusi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore