Lajme

“Nuk përjashtohet rritja e çmimit të energjisë elektrike me uljen e temperaturave”


Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, gjatë raportimin në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, të martën, nuk ka përjashtuar mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike pas rënies së temperaturave.

Sipas Rizvanollit, si rrjedhojë e motit të mirë është ulur edhe kërkesa për energji elektrike dhe një gjë e tillë ka ndikuar edhe në uljen e çmimit të rrymës në tregjet ndërkombëtare.

Por, po ranë temperaturat, ka gjasë rriten çmimet.

Rizvanolli ka raportuar para Komisionit Parlamentar për të arsyetuar propozim-vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë, për çka kërkoi nga Komisioni miratimin e këtij propozimi.

Ministrja më tej gjatë raportimit ka bërë të ditur se aktualisht jashtë funksionit është njësia A5 e termocentralit Kosova A, e cila sipas saj nuk do të kthehet në funksion para vitit të ri.

“Në njësinë A3 remonti ka përfunduar dhe është kthyer në funksion dje. Në njësinë A4 remonti kapital ka përfunduar më 3 tetor dhe edhe ajo është në funksion. Në përgjithësi prodhimi i energjisë në vend ka pasur një realizim prej 101 për qind të planit të prodhimit kjo falë të gjenerimit të Kosova B. Gjatë kësaj periudhe një pjesë e energjisë tepricë është deponuar në Shqipëri”.

Në anën tjetër pa votat e opozitës, komisioni miratoi vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike.

Me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, komisioni vendosi që ky vendim të shqyrtohet në seancën e 8 nëntorit.

Energjia Elektrike

Kosova si shumica e vendeve evropiane ka pasur problem në furnizim me energji elektrike, por ndryshe nga të gjithë të tjerët ka përjetuar reduktime.

Për shkak të mos sigurimit të sasisë së mjaftueshme dhe prishjeve të vazhdueshme në termocentrale, energjia elektrike reduktohej në intervale të ndryshme kohore.

Ishin paralajmëruar reduktime edhe më të shpeshta në të hyrë të dimrit, por temperaturat – befasisht – të larta kanë ulur kërkesën për energji elektrike dhe rrjedhimisht kanë mundësuar furnizim të rregullt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore