Përballje

Nuk mori pjesë në konferencën për media, Lucescu e quan turp atë që bënë tifozët e Fenerbahce-s


Klubi turk, Fenerbahce, u eliminua në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve nga ukrainasit e Dinamos së Kievit.

Skuadra ukrainase fitoi 1:2 (pas kohës shtesë) në Stamboll dhe kaloi në raundin e tretë pasi kishte barazuar 0:0 në sfidën e parë.

Tifozët turq e përjetuan keq eliminimin e ekipit të zemrës, derisa në momenten e shënimit të golit nga ana e mysafirëve, ata fitullan të këndojnë dhe brohorasin emrin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Pas ndeshjes, trajneri i mirënjohur i Dinamo Kievit, Mircea Lucescu, vendosi të mos merr fare pjesë në konferencën e zakonshme për media që zhvillohet pas ndeshjes.

Ai e përjetoi rëndë këtë thirrje të tifozëve të Fenerbahce-s, derisa zgjodhi të braktisë prononcimin për media, por pati vetëm një mesazh të shkurtë për atë së çfarë ndodhi në “Sukru Saracoglu”.

“Nuk i prisja kore të tilla, ky është një turp i madh”, tha ish-trajneri i Inter-it për gazetën turke “Fanatik”.

“Ishte një ndeshje e mirë midis dy ekipeve të forta. Jam i lumtur që djemtë e mi e ruajtën gjendjen fizike deri në fund. E merituam kualifikimin”, shtoi ai

Kujtojmë që trajneri rumun në karrierën e tij ishte edhe trajner i skuadrave turke, Galatasaray dhe Besiktas, derisa për një kohë ai ishte edhe përzgjedhës i kombëtares së Turqisë.

Kujtojmë që Dinamo Kiev do të vazhdojë tutje në raundin e tretë kualifikues në Ligën e Kampionëve, derisa ata tashmë e kanë siguruar pjesëmarrjen në grupe të ndonjë gare të UEFA-s.

Ndërsa Fenerbahce tani do të luajë në raundin e tretë kualifikues të Europa Leauge.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore