Lajme

“Nuk luftojmë kundër Rusisë”, thonë nga Shtëpia e Bardhë


“Nuk do të vendosim trupa ushtarake në tokën ukrainase dhe nuk do të angazhohemi në luftë me Rusinë”.

Zëdhënësja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka hequr tashmë çdo dyshim.

Trupat amerikane, nuk do të ndërhyjnë ushtarakisht drejtpërdrejt në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë.

Qëndrimi nga kreu i piramidës shtetërore amerikane, ka shtangur gazetarët, aq sa disa, pyetën se si mund të vinte një vendim i tillë, në rast të një pushtimi tërësor të Rusisë.

“Ky skenar është hapa larg”, ka shpjeguar Psaki. “Gjithsesi, dua t’ju them se Presidenti e ka bërë shumë të qartë në mënyrë të qëndrueshme – ai nuk do të dërgojë trupa amerikane në Ukrainë”.

Një lajm ky, i cili mund të ndikojë radikalisht rrjedhën e përshkallëzimit, qoftë diplomatik apo ushtarak.

Rruga e zgjedhur deri tani, ka qenë ajo e sanksioneve të ashpra, të cilat do të shtohen. Se sa efektive do të jenë, mbetet për t’u parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore