Sport

“Nuk ka më arsyetime”, Fernando Alonso i motivuar për vitin 2022


Kanë kaluar pak më shumë se dy javë kur një sezon i çmendur i Formula 1 u mbyll me Max Verstappen duke fituar kampionatin në xhiron e fundit.

Pas shtatë viteve dominim të Mercedes-it, një pilot i një skuadre tjetër u rikthye që të jetë në olimpin e sportit më të shpejtë në botë.

Edhe pse sezoni ishte i jashtëzakonshëm në çdo pikë të tij – përsëri, në luftë ishin vetëm dy skuadra, ose më saktë vetëm dy pilotë.

Formula 1 po përgatitet për revolucionin e madh, që do të ndodh në vitin 2022 me makinat e reja dhe rregullat e ndryshme.

Disa skuadra shfaqen të motivuara, dhe të bindura që do të kthehen/përfshihen në luftën për titull.

Ferrari është një nga ato, mirëpo listës i është bashkangjitur edhe Alpine – skuadra e cila ka zëvendësuar Renault-in në F1.

Pilotët e kësaj skuadre janë Fernando Alonso dhe Esteban Ocon.

I pari, është shfaqur shumë i motivuar, me sloganin e tij ‘El Plan’ që i referohet një rikthimi të mundshëm të 40-vjeçarit për të fituar titullin e tij të tretë kampion.

Këtë vit Alpine përfundoi në vendin e pestë në klasifikim, dhe Fernando Alonso mendon që është koha të kthehen në majën e këtij sporti.

“Kemi njerëzit e duhur, buxhetin e duhur, resurset e mjaftueshme”, tha Alonso.

“Tani është koha jonë që të bëjmë detyren”, u shpreh spanjolli.

“Koha e arsyetimeve ka përfunduar”.

Ai zbuloi që asgjë nuk dihet tashmë, dhe se nuk ka asnjë parashikim për vitin 2022.

Pas testeve në Abu-Dhabi, që u mbajtën pas përfundimit të sezonit të kaluar, Alonso u shpreh:

“Në një dimër normal, ne themi ‘na duhen, p.sh, tetë të dhjetat’”.

“Por” vazhdoi ai, “ne nuk e dijmë se cili është caku i ri, askush nuk e di”.

“Jetojmë me shpresë që do të jetë sa duhet, ne do të përgatitemi në maksimum”.

Sezoni i ri i Formula 1 do të fillojë më 20 mars, në Bahrain.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore