Shqipëria

“Nuk jemi karikaturë ballkanike e BE-së, të vrapojmë pa kokën pas”


“Ky rajon nuk mund të mbetet më peng i të shkuarës, në asnjë aspekt. Ne nuk jemi karikaturë ballkanike e BE-së”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një mesazh të vetëm gjatë Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, i cili po zhvillohet në Shkup: “Duhet të vrapojmë, për të fituar kohën e humbur”.

Koncepti i njohur si Schengen rajonal është më pranë se kurrë. Këtë e kanë konfirmuar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ky i fundit madje ka pohuar me ambicie se 1 janari 2023 do t’i shohë të tre vendet pa kufij.

Rama, ndërkaq, është treguar i qartë kur thelbëson se projektimi i të ardhmes së Ballkanit është parësor. Brenda vitit të ardhshëm, sipas tij, do të ketë njehsim tërësor të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Kjo, e shoqëruar me integrimin e pagesave të TVSH-së në vendet brenda marrëveshjeve.

Bazat mbi nismën janë ato të treguesve nga Banka Botërore sipas Ramës.

“Nëse duam të rrisim ekonominë, të vetëm rritemi me 2.5%. Nëse kemi marrëveshje, në 6.7%”.

Kjo është e vërteta e kryeministrit shqiptar, i cili “nuk e kupton skepticizmin e tre vendeve të tjera ballkanike, të cilat nuk pajtohen me nismën”.

Pritje, nuk mund të ketë!

“Nuk kemi pse presim që integrimin e rajonit ta bëjmë pasi të hyjmë në BE. Do ta bëjmë tani. Kjo nuk është nismë ekskluzive e tre vendeve tona. Kjo është një nismë e hapur për të gjithë. Kush do të bashkohet është i mirëpritur, por nuk mund të presim konsensus nga të gjithë të takohen”.

Shembulli i kryeministrit për këtë çështje. Mbetet ai i vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Me të tillë logjikë, nuk ka si veprohet më sipas tij.

Ndërsa akuzave se krijimi i një strukture të tillë i ngjan një Jugosllavie të vogël plus Shqipërinë, Rama iu përgjigj se, në rast të tillë, “Bashkimi Evropian është një Jugosllavi e madhe”.

“Çështjet e së shkuarës zgjidhen shumë më lehtë nëse sytë janë nga e ardhmja. Me sytë nga e shkuara, nuk ka çështje që zgjidhet në emër të së ardhmes”, ka përmbyllur Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore