Lajme

‘Nuk i bëjmë si ju gjërat’ – Ukraina përgënjeshtron Rusinë mbi vrasjen e Duginas


Ekzekutimi i Darya Dugina-s, vajza e ideologut politik të Putinit, Alexander Dugin, ka ngjallur një debat të zjarrtë me akuza dhe kundërakuza, ku sipas Kremlinit, atentati ka ardhur nga shërbimet sekrete ukrainase, teksa këta të fundit, e përgënjeshtrojnë tërësisht informacionin e dalë nga Moska.

“Nuk i bëjmë si ju gjërat”, tha në një konferencë shtypi sekretari i Këshillit për Sigurinë dhe Mbrojtjen Kombëtare, Oleksiy Danilov.

Dugina, 29-vjeçare, u përcoll për në banesën e fundit me një ceremoni modeste, pasi trupi i saj u dogj tërësisht si pasojë e një shpërthimi me eksploziv, të ndodhur teksa ajo po voziste mjetin e saj në një rrethinë të kryeqytetit rus.

Alexander Dugin vetë, duhet të ishte në atë makinë, por një vendim i minutave të fundit e bëri atë të ndryshonte plan. Vetëm pas minuta pas ngjarjes, ai u ndodh në pjesën rrugore ku mjeti i Dugina-s shpërtheu dhe më pas, për shkak të gjendjes së rënduar psiko-emocionale, u përcoll për në spital.

Nga ana e shërbimeve sekrete ruse FSB, dy ditë pas ngjarjes, u nxor versioni se ishin shërbimet ukrainase, ato të cilat e kishin vrarë vajzën e ideologut rus.

Sipas tyre, dy agjente, nënë e bijë, kishin ardhur një muaj më parë në Rusi dhe në një muaj distancë prej hyrjes në territorin rus, ekzekutuan planin për eliminimin e Dugina-s.

Më pas, të dyja ato u larguan nga Rusia në kufirin me Estoninë.

Mirëpo, sipas autoriteteve ukrainase, vendi i tyre ka “gjëra më të rëndësishme për të bërë” se sa vrasje e eksponentëve rusë.

Një version tjetër është edhe ai se Dugina-n, e kanë eliminuar nga brenda Rusisë. Për të qenë më të saktë, një grupim kundër Putinit, i cili njihet edhe si “Partizanët”.

Megjithatë, nga brenda Moskës, ky version është tërësisht i pallogarishtëm dhe i rremë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore