Lajme

“Nuk është në rregull për besë” – Konjufca “nervozohet” me deputetët zhurmëtarë të LVV-së


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kritikuar deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, për zhurmë të pakuptimtë dhe tentim për të bllokuar fjalën e deputetëve opozitare në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për iniciativën e Partisë Demokratike të Kosovës për themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore.

Në ndërkohë që deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Doarsa Kica – Xhelili, kritikonte Qeverinë e Kosovës dh LVV-në për korrupsion përmes kontratave njëburimore në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, deputetët e partisë mazhoritare krijonin zhurmë të qëllimshme nga ulëset e tyre duke tentuar pengimin e fjalës së saj.

Kjo sjellje e tyre nuk i pëlqeu Konjufcës, i cili kërkoi që deputetët e pozitës ta ndalojnë këtë metodë jo-parlamentare.

“Unë nuk po e kuptoj pse këta që gjuajnë fjalë edhe pengojnë deputetët nuk e marrin tash të drejtën e fjalës”, tha Konjufca fillimisht.

Sipas tij shkaktimi i zhurmës gjatë fjalës së deputetëve të opozitës bie desh me parimet e parlamentarizmit.

“Parlamentarizmi është kur e dëgjon kolegun dhe pastaj e ki fjalën dhe zhvillon argumentet e tua, jo kështu përmes zhurmës, nuk është në rregull për besë”.

Partia Demokratike e Kosovës, të enjten, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ka kërkuar themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore.

Në fjalën e saj në foltoren e Kuvendit të Kosovës, Kica – Xhelili, akuzoi deputetët e LVV-së pse nuk po protestojnë për keqpërdorimet në kontratat njëburimore, pasi sa ishin në opozitë protestonin për çdo keqpërdorim.

“Ka qenë diku 600 mijë euro vlerë e disa kontratave njëburimore, 3 vjet keni organizu protesta. Çka ndodhi me 200 milionë, ku i keni protestat?”, tha ajo.

Tutje, ajo i bëri thirrje LVV-së që ta votojnë Komisionin Hetimor, nëse nuk kanë asgjë për të fshehur.

“Pse po ju pengon komisioni hetimor parlamentar nëse s’keni asgjë për të fshehë, hajde dëshmojeni gabim, ejani në komision, jepni dëshmitë, justifikoni kontratat njëburimore, na demantoni. Fakti që i rezistoni çdo komisioni parlamentar, flet shumë për juve”, shtoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore