Lajme

Norvegji, kryeministrja thyen rregullat anti-Covid


Policia e Norvegjisë njoftoi të premten e 19 marsit se kryeministrja Erna Solberg po hetohet, pasi u vërtetua se së bashku me familjen e saj kanë thyer kufizimet e vendit për masat kundër përhapjes së Covid-19.

“Në sfondin e informacionit që janë shfaqur në shtyp, bashkë me deklaratat e vet kryeministrit, policia ka vendosur të fillojë një hetim të lidhur me një shkelje të mundshme të rregullores së sëmundjes infektive”.

Sipas deklaratës së policisë, çështja do të vlerësohet nga Prokuroria në lidhje sanksionet ligjore.

Sakaq, Solberg ka reaguar, duke kërkuar falje në median sociale Facebook.

“Më vjen keq që unë dhe familja ime kemi thyer kufizimet. Kjo nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Sigurisht që duhet të kishim ndjekur të gjitha rekomandimet, siç ju kam kërkuar”.

Në vijim, kryeministrja tha se e kuptonte nëse populli i saj është zemëruar dhe zhgënjyer nga gabimi që ka bërë.

“Unë kam bërë një gabim, për të cilin më vjen keq”, e mbyllte postimin Solberg.

Pas raporteve të policisë, pati një tërbim në mediat sociale, ku bënin thirrje për dorëheqjen e saj.

“Nëse KRYEMINISTRI, me një turmë këshilltarësh, nuk mund t’i kuptojë rregullat, është E PA ARSYSHME të presësh që një person i thjeshtë ta bëjë këtë”, shkruante një përdorues i Twitter-it.

Policia konfirmoi dyshimet e saj se Solberg kishte mbledhur familjen për 60-vjetorin e lindjes, në qytetin e skive në Geilo, më 25 shkurt. Duke shkelur kështu kufizimet dhe rekomandimet për grumbullimet shoqërore me më shumë se 10 persona.

13 anëtarë të familjes së Solberg-ut darkuan në një restorant në mungesë të saj, sepse asaj iu desh të shkonte në spital pas një shqetësimi që kishte me sytë.

Ajo dhe të afërmit e saj shkelën një rekomandim tjetër të nesërmen, duke mbledhur në banesën e saj 14 persona, katër më shumë se kufiri i vendosur.

Përveç pasojave ligjore, çështja mund të ketë ndikim edhe në karrierën e saj politike, ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet në shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore