Shqipëria

Noka: Kongresi dhe Kuvendi i PD-së do të mblidhet kundër Bashës


“Kongresi dhe Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të mblidhet kundër Lulzim Bashës”.

Kështu është shprehur në një konferencë për mediat deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili tashmë është rreshtuar krah mbështetjes së liderit historik të demokratëve, Sali Berisha.

Noka vijoi më tej duke thënë se ata, “nuk do të mblidhen për të kundërshtuar asnjë vendim të SHBA-ve”.

Kjo e fundit ishte replikë direkt kundër kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili një ditë më parë, tha i prerë se, “nuk ka për të pasur kuvend të PD-së që shqyrton vendimet e Amerikës”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Pavarësisht kësaj deklaratë të Bashës, Noka vijoi duke theksuar faktin se tashmë Kryetari i PD-së është në minorancë dhe një pakicë e pa konsiderueshme e PD-së.

Deputeti i PD-së, tha se, “askush nuk mund të ndalojë vullnetin e anëtarëve të PD-së”

Më tej Noka akuzoi drejtpërdrejt Bashën se, ”ka disa ditë që ka filluar takime me drejtuesit e degëve duke iu bërë shantazh për të mos ia hapur derën liderit historik të PD-së”.

Gjithashtu ai theksoi faktin se e gjitha kjo ka ardhur për të rikthyer sovranitetin e demokratëve. “Karriera individuale e gjithsecilit prej nesh përballë fatit të demokratëve, është zero”, theksoi Noka.

Çfarë po ndodh brenda PD-së?

Një vendim i rrufeshëm – një ditë para fillimit të punës zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë – i kryetarit Lulzim Basha për përjashtimin e Berishës nga grupi Parlamentar, ndezi skenën brenda PD-së.

I menjëhershëm ishte reagimi nga ana e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Shqipërisë Berisha. Prerazi ai tha se nuk largohej nga statusi i deputetit, por shkeljen e statutit nga Basha do ta kthente në takime me të gjithë anëtarët e PD-së, qytet më qytet.

Ishte një vendim i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, se pasoi përjashtimin nga Basha të Berishës. Ky i fundit bashkë me familjen u shpallën persona non-grata në SHBA.

Këtë të fundit ai e bazoi në faktin se Berisha gjatë viteve që ka udhëhequr qeverinë shqiptare ka kryer afera korruptive. SHBA-të e akuzojnë Berishën për korrupsion.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Akuza që ish-lideri i ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme, duke e çuar çështjen në gjykata ndërkombëtare, për të vepruar forca e ligjit në zgjidhjen e saj.

Pas dy muajve, do të vinte e premtja e 30 korrikut – vizita e ambasadores amerikane, Yuri Kim, tronditi zyrat e PD-së.

Si rrallëherë vepruar nga ambasadorët, Kim deklaroi, se “do të ishte një ironi historike dhe tragjike, nëse Partia Demokratike do të hante bar për hatër të një deputeti të saj”.

Thirrja e saj ishte e qartë: Basha duhej të largonte Berishën.

Kështu, më 16 shtator, Berisha nisi betejën kundër Bashës. Ai nuk ishte i vetëm. Atij iu bashkuan kontribuues të vjetër të PD-së.

“Basha u mor me karrigen dhe jo me partinë”Kjo ishte deklarata e tij, duke e konsideruar vendimin e kreut të demokratëve si “thikë pas shpine”.

Lideri historik i Partisë Demokratike, ish-kreyministri dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha

Më 21 shtator Berisha u ndal në Fier. Nga atje ai tha se, “Kuvendi i PD-së do të mblidhet në përputhje me statutin e saj dhe askush që tmerrohet prej tij nuk mund ta pengojë”.

Kjo foltore, sipas tij, do të nisë me bashkëbisedime me demokratët qytet më qytet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore