Shqipëria

“S’ka kuvend, as referendum për vendimet e Amerikës”


“Nuk ka për të pasur kuvend të PD-së që shqyrton vendimet e Amerikës”.

Këto janë fjalët e kreut të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, të mërkurën e 22 shtatorit, në një prononcim për mediat nga selia blu, mbi pretendimet për referendum dhe kuvend që shqyrton vendimet e qeverisë amerikane.

Kryedemokrati ka theksuar dy-tri herë se “kjo gjë nuk ka për të ndodhur, nuk ka për të pasur”.

Më herët, Berisha, lideri historik i PD-së, ka nisur turin e takimeve me demokratët në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij me simpatizantët demokratë, ai ka deklaruar se synohet mbledhja e 1 mijë e 500 firmave të delegatëve të Kuvendit.

Ky qëndrim i ish-kreut të PD-së, Sali Berisha, vjen pas vendimit të Lulzim Basha për përjashtimin nga grupi parlamentar.

Sipas Berishës, do të thirret Kuvendi Kombëtar ku do të kërkohet që për vendimin e Bashës të shprehet çdo anëtar i PD-së.

Berisha replikë Kim-it

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, në një takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, më herët i pat kërkuar këtij të fundit që të distancohet nga Berisha.

“Do të ishte një ironi historike dhe tragjike, nëse Partia Demokratike do të hante bar për hatër të një deputeti të saj”, deklaroi ajo.

Basha më pas e përjashtoi ish-kryeministrin nga grupi parlamentar i PD-së.

Ndër të tjera, Berisha tha se nuk i ka pranuar kushtet e ambasadores për t’u larguar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Yuri Kim, gjatë një interviste, u shpreh se “kush thotë se është habitur nga vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për zotin Berisha, me gjasë nuk është shumë i sinqertë”.

Sali Berisha bashkë me familjen e tij u shpallën persona non-grata në SHBA. Ka qenë sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që bëri me dije vendimin e DASH.

Bazuar në këtë vendim, kreu i selisë blu e përjashtoi liderin historik të PD-së.

I menjëhershëm ishte reagimi nga ana e ish-kryeministrit. Prerazi ai tha se nuk largohej nga statusi i deputetit, por shkeljen e statutit nga Basha do ta kthente në takime me të gjithë anëtarët e PD-së, qytet më qytet.

Kështu, më 16 shtator, Berisha nuk ishte i vetëm. Atij iu bashkuan kontribuues të vjetër të PD-së në “betejën e tij”.

Berisha, nga takimi në “foltoren” e Fierit i është kundërpërgjigjur deklaratës së ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

“Të gjitha t’i marrin mandatin nuk e dorëzoj. Nuk është i imi, është i qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai nga takimi me anëtarët e PD-së në Fier, duke e bërë të qartë se nuk do ta dorëzojë mandatin e deputetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore