Lajme

Njomza Emini mohon akuzat e publikuara në mediumin “Der Standard”


Kreu i EULEX-it Lars Gunar-Wigermark dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Njomza Emini.

Mediumi austriak “Der Standard”, raportoi rreth dyshimeve se kreu i EULEX-it, Lars Gunar-Wigermark, ndihmoi Komitetin Paralimpik në Kosovë për arsyeje të raportit të tij privat me drejtuesen e këtij Komiteti, Njomza Emini.

Por, e kontaktuar nga Albanian Post, Emini i ka mohuar të gjitha akuzat e publikuara nga ky medium.

“Në raportim nuk ka asgjë të vërtetë. Në mbështetjen që i është dhënë komitetit nga EULEX ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti. Gjithashtu, ne jemi pranuar tash e tri javë në Komitetin Paraolimpik Ndërkombëtarë”, deklaroi Emini për Albanian Post.

Njomza Emini.

Edhe mediumi në fjalë kur kontakoi Eminin kishte marrë një përgjigje të ngjashme.

“Jam treguar transparente kur më kontaktuan edhe misioni EULEX i është përgjigjur mediumit. Vazhdoj të jem krenare me miqtë ndërkombëtar që i kemi dhe do të vazhdojmë me energjinë dhe sfidat që na presin”.

Përveç EULEX-it, ajo thekson se Komiteti ka edhe partnerët të tjerë ndërkombëtar.

“Fatmirësisht komiteti paraolimpik i ka partnerë serioz OSBE-në, KFOR-in edhe ambasadat e vendeve të ndryshme si ajo e Francës, Amerikës, Gjermanisë, Kroacisë, Zyrën Ndërlidhëse të Sllovakisë dhe disa partnerë të tjerë”.

Çfarë raportoi mediumi austriak “Der Standard”?

Mediumi austriak “Der Standard”, në një artikull të publikuar më 14 gusht kishte raportuar rreth dyshimeve se kreu i EULEX-it Lars Gunar-Wigermark, ka ndihmuar Komitetin Paralimpik në Kosovë për arsyeje të raportit të tij privat me drejtuesen e këtij Komiteti, të cilës gazeta austriake i është drejtuar si “Zonja E”.

Drejtuesja e Komitetit Paralimpik është ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Njomza Emini.

“Dyshohet se kreu i EULEX-it, Lars Gunnar Wigermark, i ka dhënë mbështetje Komitetit Paralimpik të Kosovës pjesërisht për shkak të raportit privat me kreun e Komitetit Paralimpik Znj. E. Në mënyrë specifike bëhet fjalë për donacione, por edhe për ngjarje”, thuhej në gazetën austriake.

Ndërsa në muajin dhjetor të vitit 2021 EULEX-i ka dhuruar pajisje të IT-së (shkencave kompjuterike).

“Më 16 dhe 17 korrik EULEX ka mbështetur një event të Komitetit Paralimpik në Vushtrri, por edhe OSBE-ja dhe NATO e kanë bërë të njëjtën gjë”.

EULEX.
EULEX në bisedë me Der Standard, ka thënë se s’kanë prodhuar video promocionale për ngjarjen në Vushtrri të ndodhur më 16 dhe 17 korrik.

Por, kanë pranuar që ka prodhur broshura dhe maica për atletët me aftësi të kufizuara.

“Eulex-i pranon gjithashtu se Njësia Mjekësore EULEX ofroi mbështetje mjekësore gjatë ngjarjes, megjithëse pa kosto shtesë për misionin përveç karburantit për ambulancën”.

“Sipas dokumenteve që disponon STANDARD, “E” në mënyrë specifike i ka kërkuar misionit të Eulex-it që të përgatisë broshura dhe bluza për pjesëmarrësit e eventit që t’i veshin më 16 dhe 17 korrik dhe një ekip mjekësor nga Eulex-i ka vënë në dispozicion, i cili madje ka qëndruar në terren gjatë natës nga 16 deri më 17 korrik”.

“Der Standard”, konsideron se donacionet e EULEX-it për Komitetin Paralimpik janë të jashtëzakonshme.

“E. kërkoi nga Eulex-i që të pyeste një kompani kontraktuese të Eulex-it nëse ata mund ta shoqërojnë ngjarjen dhe të prodhojnë një video për qëllime promovuese për të gjithë ngjarjen”.

Gjithashtu, nga mediumi është kontaktuar edhe drejtuesja e Komitetit Paralimpik dhe “Forumit për Lidership dhe Diplomaci”, e cila ka thënë se ngjarjen ne Vushtrri e kanë përkrahur organizata të shumta ndërkombëtare.

Ndërsa ka shtuar se “EULEX-i nuk e ka ndihmuar asnjëherë më parë “Forumin për Lidership dhe Demokraci”.

EULEXI-i ka theksuar vazhdimisht se të gjithë punonjësit janë të detyruar të respektojnë kodin disiplinor të sjelljes për misionet e Bashkimit Evropian.

“Zhvillimi i një marrëdhënieje personale me personat e vendit pritës mund të çojë në rreziqe operacionale ose të sigurisë, si dhe në tensione kulturore. Personeli duhet të jetë i vetëdijshëm për këto rreziqe të mundshme dhe të përmbahet nga çdo sjellje që mund të cenojë integritetin, pavarësinë dhe paanshmërinë e pozicionit dhe funksionit të tij, ose imazhin e çdo misioni apo operacioni të politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes”.

“Stafi duhet të mbajë standardet më të larta të sjelljes profesionale dhe personale në marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe në marrëdhëniet me autoritetet lokale dhe komunitetet pritëse”, thuhet në kodin disiplinor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore