Lajme

Njohësi i çështjeve të sigurisë: Situata në veri drejt tendosjes, prilli do të jetë mjaft i “nxehtë”


Mitrovica e Veriut

Verolub Petroniç, nga organizata joqeveritare Qendra Humanitare – Mitrovicë, në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, tha se incidentet në veri, janë në funksion të tensionimit të situatës, në mënyrë që Kosova dhe Serbia më pas ta fajësojnë njëra-tjetrën për ndonjë krizë të mundshme.

Gjatë ditëve të fundit, përkatësisht mbrëmjen e së shtunës, janë djegur tri vetura në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej veturave ishin me targa të Kosovës, ndërsa njëra me targa ilegale të Serbisë, duke rikthyer frikën e tensioneve në këtë pjesë.

Djegia e veturave, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, bëhet nga persona të caktuar që janë në kontroll të grupeve kriminale, të cilat po ashtu, siç thotë ai, janë të lidhura me strukturat në pushtet në veri të Kosovës, por edhe në Prishtinë.

“Është evidente se Prishtina dhe Beogradi po i dërgojnë sinjale njëra-tjetrës përmes atyre grupeve kriminale. Mendoj se janë (struktura) të kontrolluara ose janë persona të rinj, të cytur, me arsyetimin se duhet djegur veturat ‘tradhtarëve’ që kanë marrë targat e Kosovës dhe kjo është e gjitha”, tha Petroniç.

Ai vlerësoi se situata në veri të Kosovës po tendoset gjithnjë e më shumë. Një numër i madh i qytetarëve serbë në veri të Kosovës, sipas tij, i ka hequr targat e lëshuara nga Serbia, për shkak se iu ka kaluar afati i regjistrimit.

Në anën tjetër, theksoi ai, qytetarët kanë frikë t’i riregjistrojnë automjetet me targa legale që lëshohen nga autoritetet e Kosovës, nga frika se individë apo struktura të caktuara mund t’ua djegin ato.

“Mendoj se po hyjmë në një situatë të skajshme dhe mjaft serioze. Ndoshta tashmë kemi hyrë, ndonëse nuk duket ashtu. Por, kjo periudhë, deri në zgjedhje (më 23 prill) do të jetë mjaft kritike. Prilli do të jetë mjaft i nxehtë”.

“Ekziston mundësia e madhe që të arrihet deri te përshkallëzimi, pikërisht në këtë periudhë. Më pas do ta fajësojnë dhe do ta akuzojnë edhe më tej njëri-tjetrin, qoftë për vakumin e sigurisë, qoftë për vakumin ligjor, për mosfunksionimin e prokurorisë, gjyqeve dhe të gjitha të tjerave”, shtoi Petroniç.

Janjiç: Barrikadat mund të kthehen sërish në veri, madje edhe konflikti i armatosur

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore