Kosova

Janjiç: Barrikadat mund të kthehen sërish në veri, madje edhe konflikti i armatosur


Dushan Janjiç

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Serbi, Dushan Janjiç, në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, tha se marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk kanë një paketë sigurie dhe se ato “nuk përfshijnë bashkëpunimin e ushtrisë dhe policisë” për shkëmbimin e të dhënave të sigurisë.

“Ekzistenca e një vakuumi të sigurisë dhe mungesa e dialogut për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës mund të jetë shkas për demonstrata të reja, e më pas barrikada, madje edhe konflikte të armatosura”, vlerësoi Janjiç.

Mbrëmjen e së shtunës janë djegur tri vetura në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej veturave ishin me targa të Kosovës, ndërsa njëra me targa të Serbisë, prandaj Janjiç e sheh rrezikun në rikthimin e tensioneve në këtë pjesë.

Policia e Kosovës njoftoi se e kishte arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një veture.  Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, paralajmëroi se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të shkaktohet “reagimi nga serbët”.

“Tani jemi dëshmitarë të përsëritjes së të gjitha dobësive të politikave të mëparshme, të cilat u shkaktuan nga menaxhimi i konfliktit nga të dyja palët. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë insistuar vazhdimisht që shkaqet e konfliktit të eliminohen dhe të vazhdojmë të flasim për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Janjiç.

“Plani për normalizimin e marrëdhënieve mund të dështojë për shkak të vakumit të sigurisë. Me normalizimin e marrëdhënieve, Lista Serbe do të ishte një humbëse e madhe politike dhe tani me kërcënimin e kryengritjes kombëtare për shkak të targave, po përpiqen të tregojnë ekzistencën e tyre”, shtoi ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç , do të takohen më 4 prill në Bruksel për të diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore