Sport

Njihuni me kundërshtarin e Ballkanit në Ligën e Kampionëve


Këtë të marte në Nzon të Zvicrës u hodh shorti për rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Konferencës.

Kampioni në fuqi i Kosovës do të luajë në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ku shorti e vuri përballë kampionit të Bulgarisë, PFC Ludogorets Razgrad.

Ludogorets është një skuadër që viteve të fundit ka dominuar në kampionatin e Bullgarisë, duke fituar 12 titujt e fundit, apo aq sa ka në historinë e tyre.

Kjo skuadër e ka nisur shkëlqimin që nga edicioni 2011/12, kur i inkuadrua në elitën e futbollit bullgar, dhe që në atë sezon fitoi dy trofetë kryesore të këtij shteti, Ligën dhe Kupën.

Nga ana tjetër edhe tre herë kanë triumfuar edhe në Kupën e Bullgarisë.

Interesant është fakti se me Ludogorets nuk është përballur asnjë ekip shqiptar asnjëherë më parë.

Në sezonin e kaluar, kampionat e Bullgarisë ishin pjesë e grupeve të Ligës së Evropës, ku përfunduan në vendin e tretë që i dërgoi në “Play-Off” të Ligës së Konferencës, ku më pas u eliminuan nga skuadra belge, Anderlecht me rezultat të përgjithshëm 3:2.

Vlen të ceket se në edicionin e kaluar, ata morën dy fitore në grup, ku njëra ndër to ishte ndaj Romës me rezultat 2:1.

Ndërkohë, të arriturën më të lartë e patën në edicionin 2013/14 duke shkuar deri në fazën e 1/8-ve të Ligës së Evropës, ku më pas u eliminuan nga Lazio me rezultat të përgjithshëm 4:3.

Sa i përket formës momentale, ata kanë një grup futbollistësh që sipas “Transfermarkt” e kapin vlerën e 41.7 milionë eurove.

Futbollistët më të vlefshëm aktualisht të tyre janë dy sulmuesit: Bernard Tekpetey që vlerën sipas “Transfermarkt” e ka 5 milionë euro dhe Kiril Despodov që vlen 4.5 milionë euro.

Ndërkohë, kampionët e Kosovës kanë në përbërje futbollistë që e kapin vlerën e 4.35 milionë eurove.

Kujtojmë që ndeshjet e raundit të parë kualifikues do të jenë me dy takime dhe do të zhvillohen më 11/12 dhe 18/19 korrik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore