Lajme

Njësitë Speciale në Veri, serbët protestojnë


Një kolonë e veturave të njësisë speciale të Policisë së Kosovës ka udhëtuar drejt veriut në Mitrovicë, për ku është planifikuar protestë nga serbët e Kosovës për në orën 12:30.

Protesta është organizuar nga udhëheqësit politik të Listës Serbe, pas refuzimit të Kosovës që të mbahen zgjedhjet serbe në territorin e vendit.

Sipas burimeve të Albanian Post brenda policisë, të gjitha njësitet speciale janë mobilizuar, derisa janë ndarë në dy grupe, një pjesë në Mitrovicën e Veriut dhe pjesa tjetër në Graçanicë.

Protesta është paralajmëruar qysh nga e mërkura, kur u bë e ditur se s’do lejohet mbajtja e zgjedhjeve.

Si rrodhën gjërat

Serbia ka zgjedhje më 3 prill. Këto zgjedhje, përmes OSBE-së, dëshironte t’i mbante edhe në territorin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar që të mbahen zgjedhje serbe në Kosovë, përveç nëse Qeveria e Serbisë i dërgon kërkesë zyrtare Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Serbisë nuk ka pranuar ta bëjë këtë, por ka pranuar propozimin e shteteve të QUINT-it, që Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë të komunikojë me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.

Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar këtë version, duke këmbëngulur në idenë e tyre, se duhet një komunikim mes qeverish, përndryshe nënkupton shkelje të sovranitetit dhe integriteti territorial të Kosovës.

Pasi u kuptua qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, Aleksandër Vuçiç, ftoi urgjent Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Në mbledhje të këtij organi morën pjesë politikanë të Listës Serbe dhe zyrtarë serbë që punojnë brenda institucioneve të Kosovës.

Ata, siç u njoftua, kishin kërkuar nga Vuçiç që të largohen krejtësisht nga institucionet e Kosovës, si përgjigje për refuzimin e qeverisë kosovare që t’i lejojë të mbajnë zgjedhje në formën që ata donin.

Vuçiç u deklarua se ishte ai që i ndali nga kjo “ide radikale”.

Krejt në fund, dolën shtetet e QUINT-it me një deklaratë të përbashkët, ku lavdëronin Serbinë për qasje konstruktive dhe kritikonin Kosovën, duke i thënë edhe se po minonte rrugën e vet drejt integrimit euro-atlantik.

Pas kësaj, si kritikë për pjesëmarrje në Këshillin e Sigurisë së Serbisë, institucionet e Kosovës kanë shkarkuar gjyqtaren serbe, që ka punuar si kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviç.

Për këtë arsye, Vuçiç del me deklarim se Marrëveshja e Brukselit, që rregullonte shuarjen e strukturave paralele dhe inkuadrimin e zyrtarëve serbë në institucionet e Kosovës, më nuk është e vlefshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore