Kosova

Njësia Speciale Intervenuese proteston sërish të shtunën, i bashkohet edhe Sindikata e Policisë së Kosovës


Foto: Albanian Post.

Për herë të dytë, Njësia Speciale Intervenuese (NJSI/FIT) në kuadër të Policisë së Kosovës do të protestojë sërish në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, të shtunën e 9 dhjetorit me të njëjtat kërkesa të cilat nuk u miratuan në takimin që zhvilluan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti më 15 nëntor.

Ata po kërkojnë të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve, ndërsa rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Kësaj proteste do t’i bashkohet edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post kryetari i sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

“Nesër në protestë do të jemi edhe ne së bashku me këshillin drejtues të Sindikatës, Njësitin e FIT-it dhe kushdo që dëshiron nga policia t’i bashkohet protestës në ora 12:00”.

Me maska në fytyra e pa shoqërimin e armëve, pjesëtarët e njësisë më elitare të Policisë së Kosovë, të njohur ndryshe edhe si FIT, të cilët zmbrapsën paramilitarët me 24 shtator në Banjë të Zveçanit, kishin protestuar të mërkurën e 1 tetorit para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Foto nga protesta e kaluar e Njësisë Speciale në tetor.

Për rreth 10 minuta qëndrim në heshtje, ata kishin shprehur pakënaqësitë e tyre të thella në lidhje me trajtimin e deritanishëm nga Qeveria e Kosovës.

Ata përveç heshtjesh – si simbolikë për të shprehur indinjatën e tyre ndaj kushteve të punës, pagave por edhe mungesës së komunikimit korrekt nga niveli politik i Qeverisë në ditën më kritike për vendin (24 shtator) – edhe kishin folur duke parashtruar kërkesa e tyre konkrete ndaj ekzekutivit kosovar.

Njëri nga pjesëtarët e kësaj njësie ndërsa kumtonte publikut kërkesat, kërkoi ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

“Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka më shumë se 10 vite që kemi marr premtime për benefite të cilat na takojnë”, thoshte ai.

Gjatë fjalës së tij, ai kishte listuar edhe disa nga kërkesat ndaj Qeverisë së Kosovës siç janë kategorizimi si njësi të veçanta, përcaktimi i rrezikshmërisë në 50 për qind prej pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.

Më 30 nëntor, Albanian Post kishte raportuar për protestën e dytë që do të mbahet nga Njësia Speciale Intervenuese.

NJSI-ja dhe shumë njësi të tjera prapë në protestë, kryeministri ua refuzoi kërkesat

Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Këto shtesa, sipas ekzekutivit, do të aplikohen nga nëntori, pasi të hyjë në fuqi Ligji për Pagat.

Mashtrimi brutal i Kryenumëratores së Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore