Shqipëria

Një treg i përbashkët rajonal për integrimin e shpejtë në BE, thotë drejtuesja e CEFTA-s


E gjitha me qëllimin për të hedhur hapa konkretë, individualë dhe të përbashkët, drejt plotësimit të dy prej shtyllave kryesore të planit të ri për rritjen e Ballkanit Perëndimor

Ky ishte fokusi i Samitit Rajonal mbi Planin e “Rritjes dhe konvergjencës për Ballkanin Perëndimor” i mbajtur dje në Tiranë, i cili mblodhi liderë nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe organizata të tjera dhe aktorë kyç në proceset për anëtarësimin në BE,.

“Plani i ri për Rritjen e Ballkanit Perëndimor siguron një lidhje mes punës së CEFTA-s, në kornizën për një Treg të Përbashkët Rajonal dhe aksesin në Tregun e BE-së. Shembulli më i prekshëm i kësaj lidhjeje është zgjerimi i Linjave të Gjelbra në kalimet kufitare me tregjet fqinje të BE-së dhe marrëveshjet e tjera doganore, të cilat do t’i bëjnë edhe më efiçente këto kalime”, ka theksuar Danijela Gačević, drejtoresha në detyrë e CEFTA-s.

Gačević ka vijuar duke thënë se “zbatimi i Planit aktual të Aksionit për një treg të Përbashkët Rajonal dhe zhvillimi i një tregu të ri janë thelbësorë për krijimin e mundësive të reja, tërheqjen e investimeve dhe forcimin e bashkëpunimit në CEFTA dhe me BE-në”.

Sakaq, mbledhja e Tiranës erdhi në vijim të takimit “Ballkani Perëndimor takohet me BE”, që u mbajt në Shkup, po ashtu edhe pas Samitit për Investimet në Ballkanin Perëndimor të organizuar nga EBRD në Londër dhe përçon mesazhin se rajoni ka rritur nivelin e pjekurisë dhe qëndrueshmërisë.

CEFTA po punon për më shumë se 20 nisma, të cilat priten të sjellin të mira konkrete për bizneset dhe qytetarët në rajon. Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian do të zgjedhin bashkërisht se cilat prej tyre do të zgjerohen në marrëdhënien tonë me BE-në. Lidhur me Linjat e Gjelbra, puna e CEFTA-s do të jetë thelbësore në të ashtuquajturat marrëveshje ACAA, të cilat mundësojnë lëvizje pa viza për të mirat industriale, lehtësimin e pajisjeve elektronike, uljen e pengesave gjeografike, etj.

Plani i Ri i Rritjes i Komisionit Evropian, i përshtatur së fundmi për Ballkanin Perëndimor, e njeh CEFTA-n si mekanizmin qendror të qeverisjes për menaxhimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

Nga katër shtyllat e Planit të Rritjes, CEFTA do të fokusohet në dy prej tyre, të cilat kanë lidhje me forcimin e integrimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor dhe BE.

Këto qëllime strategjike bëjnë që CEFTA të luajë një rol të rëndësishëm në lidhjen e rajonit me Tregun Unik të BE-së, duke theksuar lëvizjen e lirë të të mirave, shërbimeve dhe forcës punëtore, akses në Zonën Unike të Pagesave Euro (SEPA) dhe Tregun Unik Digjital.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore