Lajme

“Një tjetër fitore për sundimin e ligjit”, Kurti për konfiskimin e fishekëve të kontrabanduara nga Serbia


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfiskimin e 6 mijë e 300 fishekëve nga ana e Policisë së Kosovës, e ka cilësuar si një tjetër fitore për sundimin e ligjit.

Policia e Kosovës, të martën ka ndaluar një automjet me targa të Serbisë në fshatin Jashanicë të Komunës së Leposaviqit, me ç’rast ka konfiskuar 6 mijë e 300 fishekë të kontrabanduara nga Serbia.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës i dyshuari për këtë rast, një shtetas serb, është arrestuar dhe është dërguar në ndalimin për 48 orë.

Për operacionin e suksesshëm të Policisë së Kosovës, një ditë më vonë është lavdëruar i pari i ekzekutivit duke thënë se Qeveria e Kosovës “ka zero tolerancë për trafikimin e armëve dhe lëndëve narkotike, krimin e organizuar dhe çdo përpjekje për të mbështetur dhunën ose konfliktin – kudo në territorin e Kosovës”.

Përveç Kurtit, aksionin e Policisë së Kosovës e ka përshëndetur edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.

Sipas tij përderisa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, flet për armatosjen e Serbisë dhe blerjen e dronëve, në Veri të Kosovës konfiskohen 6 mijë e 300 copë municione të kontrabanduara nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore