Aplikacione

Një shef ekzekutiv indian kritikohet për zgjedhjen e chatbot-it mbi stafin


Një shef ekzekutiv indian po kritikohet pasi ka thënë se firma e tij ka zëvendësuar 90 për qind të stafit mbështetës me një chatbot të inteligjencës artificiale (AI).

Suumit Shah, themeluesi i Dukaan, ka shkruar në Twitter se chatbot-i ka përmirësuar në mënyrë drastike përgjigjen e parë dhe kohën e zgjidhjes së pyetjeve të klientëve.

Por kjo shkaktoi zemërim në internet.

Lëvizja e tij vjen në një kohë kur ka pasur shumë biseda dhe shqetësime për AI-në që u ka hequr punët njerëzve, veçanërisht në industrinë e shërbimeve.

Në një seri postimesh në Twitter, të cilat kanë mbi një milion shikime, Shah ka treguar për vendimin e firmës së tij për të përdorur një chatbot.

Sipas tij, megjithëse shkarkimi i stafit ishte një vendim i vështirë, ai ishte i nevojshëm.

Po ashtu ka treguar se si e ndërtuan chatbot-in dhe platformën e AI-së në një hark kohor të shkurtër, në mënyrë që të gjithë klientët e Dukaan të mund të kishin asistentin e tyre të AI-së.

Ai ka thënë se roboti po u përgjigjej të gjitha llojeve të pyetjeve me shpejtësi dhe saktësi.

“Në epokën e kënaqësisë së menjëhershme, nisja e një biznesi nuk është më një ëndërr e largët”, ka shkruar ai.

“Me idenë e duhur, ekipin e duhur, çdokush mund t’i kthejë ëndrrat e tij sipërmarrëse në realitet”, ka shtuar ai.

Shah ka thënë gjithashtu se firma po punësonte staf për role të shumta.

Vitet e fundit, mjetet gjeneruese të AI-së si ChatGPT janë përhapur dhe janë bërë më të aksesueshme.

Ka pasur raportime të organizatave që përdorin këto mjete për të rritur produktivitetin duke ulur kostot.

Çka i ka bërë punonjësit të frikësohen për humbjen e vendeve të punës për shkak të teknologjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore