Kosova

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që iu konfiskua afro 60 kg drogë në Skenderaj


Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit E.A i cili është arrestuar pasi i është konfiskuar afro 60 kilogramë drogë në Skenderaj.

Lajmi është konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” nga nënkryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi.

“Po, ndaj të njëjtit Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh”, tha Veliqi.

Caktimi i masës së paraburgimit ndaj E.A është bërë pas kërkesës së Prokurorisë.

“Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kërkesë për caktimin e paraburgimit  kundër të dyshuarit E.A., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar narkotikeve substancave psikotrope”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Dy ditë më parë, policia pati njoftuar se pas hetimeve paraprake dhe veprimeve të ndryshme policore, gjatë kontrollit, organet e rendit kanë gjetur dhe konfiskuar 59 kilogramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore