Shqipëria

Një kandidat për zgjedhjet lokale, ky është plani i demokratëve


Pavarësisht përçarjes që ende vijon brenda Partisë Demokratike, qëllimi final është ai i daljes në zgjedhjet lokale të vitit 2023 me një kandidat të vetëm në garë.

Kështu ka bërë me dije kreu i Grupit Parlamentar të demokratëve, Enkelejd Alibeaj, pas një takimi që pati me deputetët e këtij grupacioni politik, pas bisedimeve mes dy deputetëve të mandatuar, Gazment Bardhi nga grupi Alibeaj dhe Edi Paloka nga grupi Berisha, për të arritur konsensusin e bashkimit.

“Para një jave në një diskutim të grupit ramë dakord që jemi të prirur për zgjedhjet lokale të dalim me një kandidat, është në interes të demokratëve”.

Kështu bëri me dije Alibeaj pas takimit.

Nga ana tjetër, Bardhi dha edhe detaje nga takimi me Palokën, duke shtuar se ka pasur frymë të plotë mirëkuptimi mes palëve.

Megjithatë, ai nuk i ka zbardhur të gjitha detajet, duke lënë dyshime mbi çfarë është arritur konkretisht të dakordësohet mes dy grupeve, deri në këto çaste.

“Asnjëri nuk ka pasur një qëndrim për një çështje të caktuar. Kemi shkëmbyer thjesht mendime. Njëanshmëria nuk e ndihmon këtë proces”, e ka përmbyllur Bardhi fjalën e tij.

Teksa, ndër deputetët pjesëmarrës në takim, ishte edhe Grida Duma, e cila pas mbledhjes ka folur edhe për frymën, në të cilën bisedimet po zhvillohen.

“Fryma me të cilën lashë mbledhjen është e sinqertë. Mënyra se si do të shkohet drejt këtyre primareve është duke u diskutuar në çdo moment. Fakti që kanë nisur diskutimet unë e quaj një lajm të mirë. Fryma është për të gjetur të gjitha elementët që mund të na çojnë drejt  bashkimit”, nënvizoi Duma.

Nga vetë kreu i demokratëve, Sali Berisha, ende nuk ka një deklarim mbi çështjen, të cilën ia ka lënë në dorë përfaqësuesit të tij në bisedime, ku qëllimi final duket ai i përkrahjes së një kandidati të vetëm, të dalë nga primaret që të të djathtët pritet të mbajnë në procesin paraprirës të zgjedhjeve lokale 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore