Vende

Një guidë nga “The Times” për të eksploruar Shqipërinë


Shqipëria, për “The Times”, ka lulëzuar dhe po mirëpret një numër në rritje vizitorësh të etur për të eksploruar kulturën dhe traditat unike.

Është ndryshe nga kudo tjetër në Evropë.

Çmimet janë shumë më të ulëta se ato në shumicën e pikave të festave tradicionale evropiane, gjë që e ka bërë atë tërheqëse për vizitorët.

Me 20 paund në ditë mund të përballohet kampingu, ushqimi i mrekullueshëm dhe një gotë mirë verë. Ushqimi, pijet dhe transporti janë të paktën gjysma e çmimit që janë në Mbretërinë e Bashkuar.

Veçanërisht Tirana, shkruan “The Times”, është ideale për pushime në qytet.

Është një përzierje magjepsëse ndërtesash të stilit italian të epokës fashiste, të lyera me nuanca të ndezura të verdhë dhe rozë, apartamente të epokës komuniste të mbuluara me murale dhe burra që pinë kafe dhe luajnë domino në rrugë.

Sakaq, bukuria e vërtetë gjendet jashtë qyteteve, ku vargmalet e mëdha shtrihen nga veriu në jug si një shpinë e thepisur, me lumenj të kaltër që gjarpërojnë nëpër kanionet e tyre të paanë.

Shanset janë që eksplorimi të niset nga Tirana, ku do të nevojiten disa ditë.

Është një qytet kompakt, shumica e pamjeve janë të arritshme në këmbë. Nuk duhet humbur Shtëpia e Gjetheve dhe Bunk’art 1 dhe 2, të cilët ofrojnë një vështrim tronditës ndaj sundimit të ish-diktatorit Enver Hoxha.

Të tjera që duhen parë janë Muzeu Historik Kombëtar, Kalaja e Tiranës, teleferiku i Dajtit dhe Kopshti Zoologjik i Tiranës.

Po ashtu edhe shtëpia e Ali Shijakut, me brendësinë e saj tradicionale, veprat e artit nga dyshemeja deri në tavan dhe një oborr me kalldrëm të përsosur për të pirë kafe.

Më tej, një udhëtim në fshatin e thellë të Thethit në Bjeshkët e Nemuna është i domosdoshëm, siç është një udhëtim në liqenin e Komanit për në bujtina të gurta të arritshme vetëm nëpërmjet rrugëve ujore.

Këtu mund të shijohet edhe kuzhina me mish të pjekur apo peshk të freskët të shërbyer me sallatë të stinës.

Butrinti është një tjetër ndalesë. Vendi i trashëgimisë botërore të UNESCO-s të çon nëpër mijëra vjet të historisë së Ballkanit përmes amfiteatrove, bastioneve dhe kalatë antike.

Ose në Apoloni, e cila daton në shekullin e VI p.e.s. Divjaka është gjithashtu një vend që duhet parë, me shtigje biçikletash, laguna dhe plazhe dhe pelikanë.

Ndërkaq, qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës në zonën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Shqipërinë jugore janë të paharrueshme për arkitekturën, kështjellat dhe pazaret e tyre osmane.

Në Berat duhet vizituar Muzeu Solomon, duke gjurmuar historinë e hebrenjve të Shqipërisë. Kurse në Gjirokastër, Shtëpia historike e Skëndulit dhe Muzeu Etnografik ofrojnë një pasqyrë unike për veçoritë kulturore të Shqipërisë.

Ndërsa vizita e ndonjë prej parqeve kombëtare është gjithmonë një aventurë, sipas “The Times”.

Pastaj vjen Riviera shqiptare që shtrihet nga qyteti i Vlorës deri në Sarandë, pikërisht përtej ujit të Korfuzit dhe është një përzierje fshatrash të vendosura në dalje shkëmbore dhe plazhe të lavdishme që shtrihen për milje.

Mes rrugëve gjarpëruese dhe ullishteve të tij ka mundësi për të vizituar festivale muzikore ose për të parë qytete të lashta fantazmë.

Nga ana tjetër, bujtinat mund të gjendet në çdo cep të vendit.

Këto shtëpi pritëse tradicionale janë një mënyrë e shkëlqyer për t’u zhytur në vend dhe shërbejnë ushqime lokale, duke përfshirë gliko dhe djathë dhie.

Në Fier, Manastiri i Ardenicës raportohet të jetë vendi ku u martua heroi shqiptar i shekullit të XV-të Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu.

Pas dyerve të gdhendura të lisit të manastirit ortodoks lindor të shekullit të XII-të mund të shihen afreske të ndërlikuara me ngjyrë ari të pikturuara nga disa prej artistëve më të mirë të Shqipërisë, që datojnë nga vitet 1700 dhe 1800.

Në fund, por jo më pak e rëndësishme është Vjosa. Lumi gjurmohet përmes vendit, duke u ndalur në qytete dhe fshatra gjatë rrugës.

Mund të niset në Përmet, qyteti i famshëm për banjat termale dhe trëndafilat. Pastaj Tepelena, vendlindja e të madhit Ali Pasha.

Marrë nga “The Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore