Lajme

Një grua transgjinore dënohet me tetë vjet burg për përdhunimin e dy grave


Një grua transgjinore e shpallur fajtore për përdhunimin e dy grave para se të kryente ndryshimin e gjinisë është dënuar me tetë vjet burg.

Muajin e kaluar, Isla Bryson u dënua për përdhunimin e dy grave – një në Clydebank në vitin 2016 dhe një në Glasgow në vitin 2019 – teksa ishte ende burrë i njohur si Adam Graham.

Gjyqtari ka thënë se Bryson përbënte një rrezik të lartë për të kryer sërish veprën penale.

Po ashtu ai ka shtuar se Bryson vazhdon të “mohojë me forcë” veprat penale dhe pretendon se viktimat janë bashkuar kundër saj.

Ai ka pranuar se Bryson konsiderohet “e cenueshme në disa mënyra” për shkak të përvojave të pafavorshme të fëmijërisë, por “cënueshmëria nuk është aspak justifikim për atë që u ka bërë dy grave”.

Sakaq, rasti ndezi një debat mbi të burgosurit transgjinorë pasi Bryson fillimisht u paraburgos në burgun Cornton Vale të Skocisë, tërësisht me femra.

Çka shkaktoi shqetësime nga politikanët dhe aktivistët për sigurinë e grave që mbahen së bashku me një shkelëse seksuale transgjinore në një burg femrash.

Por Bryson u transferua në një institucion për meshkuj më pak se 72 orë më vonë pas një ndërhyrjeje nga ministri i parë në largim i Skocisë, Nicola Sturgeon.

Sekretari i drejtësisë i Skocisë, Keith Brown, urdhëroi një rishikim urgjent të çështjes dhe Shërbimi i Burgjeve Skoceze (SPS) mori vendimin për të ndaluar lëvizjen e të gjithë të burgosurve transgjinorë me një histori dhune ndaj grave.

Kundërshtarët e reformave të njohjes gjinore të qeverisë skoceze – të cilat qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka bllokuar të shkojnë për pëlqimin mbretëror për shkak të “çështjeve të sigurisë për gratë dhe fëmijët” – kanë thënë se rasti justifikonte shqetësimet e tyre për mungesën e masave mbrojtëse në projektligj.

Bryson, nga Clydebank, West Dunbartonshire, u paraqit për herë të parë në gjykatë në vitin 2019 si Adam Graham dhe të dy viktimat e njihnin sulmuesin e tyre me atë emër.

Në dokumentet gjyqësore në vitin 2020, rreth kohës së vendimit për tranzicionin, e pandehura quhej Isla Annie Bryson, e njohur më parë si Adam Graham.

Ajo u shpall fajtore për dy akuza për përdhunim në janar pas një gjyqi gjashtë-ditor në gjykatën e lartë në Glasgow.

Gjatë gjyqit, gjykata dëgjoi se Bryson po kalonte një prishje të një martese të shkurtër, të pakënaqur dhe shkoi të qëndronte me viktimën e parë në shtëpinë e nënës së viktimës në Clydebank në vitin 2016.

Duke dhënë dëshmi me video të regjistruara paraprakisht, viktima ka thënë se ishte përdhunuar për gjysmë ore.

“Gjithçka që thashë ishte ‘jo’ pa pushim. Në atë kohë isha shumë e frikësuar. Unë thjesht nuk e dija se çfarë po ndodhte”, ka thënë ajo.

Viktima e dytë, e cila dëshmoi përmes videolidhjes live, i ka thënë gjykatës se Bryson vazhdoi të kryente marrëdhënie seksuale me të pasi ajo i kishte thënë të ndalonte.

Duke dhënë prova gjatë gjyqit, Bryson foli për identifikimin si transgjinor në moshën katër vjeçare, por nuk mori vendimin për ta bërë ndryshimin deri në moshën 29 vjeç.

Gjykata dëgjoi gjithashtu se përdhunuesi është ende duke ndjekur ndryshimin e plotë të gjinisë dhe është duke marrë “dozat maksimale të rekomanduara të hormonit”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore