Sport

Një grua do të provojë të notojë nga Italia drejt Shqipërisë


Eva Buzo do të provojë të shkruajë historinë pas pak ditësh.

Mes datës 20 dhe 30 qershor, ajo do përpiqet të kalojë me not Ngushticën e Otrantos, nga qyteti i Salento-s deri në plazhin e Vlorës.

Lajmi u bë i ditur nga botimi italian “Quotidiano Di Puglia”.

Notares do t’i duhet të bëjë rreth 40 orë not të pandërprerë.

Buzo është 36 vjeç dhe jeton në Australi. Ajo ushtron profesionin e avokates dhe aktivizohet shpeshherë për të drejtat e njeriut.

Gjyshi i saj, megjithatë, ishte me origjinë nga Shqipëria dhe kishte emigruar fillimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas në Australi, duke ruajtur gjithmonë lidhjet me vendlindjen e tij.

Eva Buzo është një avokate për të drejtat e njeriut me përvojë pune me viktimat e abuzimeve të të drejtave të njeriut në Afrikën Lindore, Azinë Jugore dhe Australi për organizata të ndryshme përfshirë “World Vision”, “Save the Children” dhe “BRAC”.

Buzo zotëron një Master nga Universiteti i Hamburgut dhe është duke përfunduar doktoraturën e saj Juris në Universitetin e Teknologjisë në Queensland për përfaqësimin e viktimave në mekanizmat ndërkombëtarë të llogaridhënies.

Ajo është në listën e Justice Rapid Response si eksperte e hetimit penal ndërkombëtar.

Eva është gjithashtu një avokate që praktikon në NSW Bar dhe është anëtare e Black Chambers.

Në kohën e saj të lirë, Eva është një fanse e zjarrtë e teatrit muzikor dhe një notare maratoniste.

E dashuruar me Shqipërinë por edhe me detin dhe notin, Eva tashmë do të tentojë të kalojë ngushticën e Otrantos.

Nuk është hera e parë që ajo shkon me not në Shqipëri.

Ajo do të ndiqet nga dy nga trajnerët e saj, të cilët do të hipin me radhë në një kajak gjatë 40 orëve të pandërprera të notit që do të karakterizojnë mbërritjen.

Një varkë e shpejtë dhe e pajisur për çdo rast do të jetë pranë sportistes.

Stafi teknik logjistik është kompletuar me një varkë me vela që do të menaxhojë logjistikën e të gjitha aktiviteteve dhe një varkë shtesë për lidhjet e varkës me vela me mjetet pranë notares.

Më 14 korrik 1979 këtë sprovë e tentoi Paolo Pinto. Por kësaj radhe do të jetë një grua që do provojë të kalojë kanalin e Otrantos me not.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore