Libra

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” e Ag Apollonit, edhe në Shqipëri


Libri i fundit nga shkrimtari dhe profesori universitar, Ag Apolloni, “Një fije shprese, një fije shkrepëse” tanimë është botuar edhe në Shqipëri nga Shtëpia Botuese “Skanderbeg Books”.

Dokuromani i shkrimtarit Apolloni është dokument i tragjedisë kosovare të luftës së fundit, përkatësisht tragjedisë së dy nënave, Ferdonijes dhe Pashkës.

Kjo vepër është vlerësuar nga figura eminente të letërsisë shqipe si Rexhep Qosja dhe ka marrë Çmimin për Prozë “Anton Pashku” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Nuk ndodh shpesh, por, ja, ndodh, që studiuesi i shquar i letërsisë të bëhet edhe krijues i shquar i letërsisë. Studiues i risive të letërsisë shqipe, Ag Apolloni, në romanin e tij të ri ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’ u dëshmua krijues i shquar i letërsisë shqipe, u dëshmua shkrimtar i risive”, ka shkruar Rexhep Qosja për veprën “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.

Kurse shkrimtari, publicisti dhe diplomati i njohur kosovar, Blerim Shala, ka shkruar se “Romani i Ag Apollonit është njëkohësisht muze i të gjithë neve, ekspozitë artistike me tablo tmerri, dramë në vete, arkiv historik. Mbi të gjitha, është një vepër e jashtëzakonshme artistike”.

Shtëpia Botuese “Skanderbeg Books”, drejtuar nga shkrimtarja Flutura Açka, ka sjellë në Shqipëri veprën e Ag Apollonit.

“Skanderbeg Books” është ndër shtëpitë botuese më të njohura. Ajo ka botuar kryesisht autorët e mëdhenj botërorë si: Philip Roth, Orhan Pamuk, Michel Houellebecq, Haruki Murakami, Mario Vargas Llosa etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore