Lajme

Danezët vizitojnë burgun e Gjilanit, i shohin qelitë që do i marrin me qera


Një delegacion nga Danimarka ka vizituar burgun e Gjilanit ku pritet të transferohen të burgosurit danez.

“Gjatë kësaj vizite, delegacioni u shoqëruan nga zëvendësministri Sallahu, anëtarët e kabinetit dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Me këtë rast, delegacioni danez për së afërmi u njoftua me hapësirat e burgut në Gjilan dhe me mënyrat e funksionimit të tij”, ka njoftuar MD-ja.

Sipas njoftimit, në fokus të veçantë ishte edhe informimi lidhur me trajtimin e të burgosurve pranë këtij burgu i cili është në përputhje me respektimin e standardeve ndërkombëtare.

“Gjatë qëndrimit të tyre në këto hapësira u vizituan : dhoma e pranimit, dhoma e vizitave, njësia shëndetësore dhe hapësirat e tjera ku kryhen aktivitete me të burgosurit”, thuhet tutje në njoftim.

Më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë nënshkruar marrëveshje dhe deklaratë të përbashkët si zotim i të dy qeverive për marrjen me qera të qelive të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe Danimarkës për marrjen me qira të 300 qelive, pati thënë se qelitë që pritet të jepen në shfrytëzim do të jenë në burgun e Gjilanit.

Sipas saj, Kosova do të ketë përfitime financiare mbi 200 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore