Shqipëria

Nis zyrtarisht “Defender 2023” në Shqipëri


Hapësira qiellore përbri Bulevardit Dëshmorët e Kombit gumëzhinte mesditën e 22 majit nga dy helikopterë amerikanë Black Hawk, të cilët përkuan me ekzekutimin e himneve respektive të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Sheshi Nënë Tereza kishte hapur zyrtarisht ditën e vizitave të figurave të shquara në kuadër të nisjes së stërvitjeve ushtarake Defender 2023 në vendin tonë.

Trupat amerikane qëndronin krah personelit ushtarak shqiptar në dy kendet karshi njëri-tjetrit duke ekspozuar dhe mjete ushtarake ajrore dhe tokësore në të dyja anët e paneleve.

Kujtojë që, Shqipëria mirëpret për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë, “Defender Europe 23” ku rreth 24 mijë trupa shumëkombëshe do të jenë pjesëmarrëse, duke e bërë atë më të madhin në historinë e vendit si aleat i NATO-s.

Stërvitja e përbashkët shumëkombëshe do të zhvillohet në Tiranë nga data 22 maj deri më 3 qershor.

Stërvitja “Defender Europe” është një stërvitje vjetore, shumëkombëshe, e përbashkët në shkallë të gjerë, në shkallë të gjerë, e drejtuar nga SHBA-të, e krijuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë midis Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe vendeve partnere.

Dy vite më parë, Tirana ishte një nga organizatorët e “Defender-Europe 2021”, stërvitja në shkallë të gjerë që përfshinte 30 mijë trupa amerikane dhe forca të NATO-s nga 26 vende, e cila filloi më 4 maj dhe vazhdoi deri në qershor me disa stërvitje të lidhura në të gjithë kontinentin.

Arben Kingji

I pari që mori fjalën ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji, i cili deklaroi se autoritetet synojnë një stërvitje sa më të suksesshme gjatë Defender Europe 2023 në vendin tonë.

Fillimisht shefi i shtabit falënderoi “aleatët tanë strategjikë” për organizimin e stërvitjes vjetorë Defender Europe 2023 në Shqipëri.

Kjo e fundit, sipas tij, është dëshmi e prekshme e aftësisë sonë për të punuar së bashku kundër kërcënimeve të mundshme dhe dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit mes vendeve tona.

Stërvitja në thelb për Kingjin është edhe një mesazh për kundërshtarët tanë të mundshëm “që ne jemi të përgatitur dhe të bashkuar për të përballuar sfidat e përbashkëta”.

Gjatë saj do të organizohen disa aktivitete stërvitore që plotësojnë tre komponentë: tokësorë, ajror dhe detar, shtoi kryekomandanti.

“Kjo stërvitje është vetëm njëra prej elementëve të bashkëpunimit me aleatin tonë strategjik. Garda Multinacionale e Jugut është gjithashtu strukturë në të cilën janë angazhuar trupa nga Republika e Kosovës, Kroacia, Sllovenia dhe Rumania”, theksoi në përmbyllje Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Bajram Begaj

Në një podium pothuajse nostalgjik për të, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi se dy vite me parë “Defender Europe 2021”, dukej sfidë e madhe për “kapacitetet tona”, por “arritëm të ngrihemi në lartësinë e detyrës”.

“Defender Europe nisi si stërvitje për të rritur kapacitete në rast konflikti. Realiteti i sotëm gjeopolitik është i ndryshëm nga ai i dy viteve më parë për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë. Kjo ka krijuar efekt edhe në rajonin tonë”.

Ai theksoi se secili që shërben në Forcat e Armatosura nderon dhe lartëson çdo ditë flamurin e Shqipërisë.

“Në pozitën time si Komandant i Përgjithshëm inkurajoj qeverinë të shtojë akoma më shumë mbështetjen për FA dhe kontributin e Shqipërisë në NATO. Pas dy vitesh në ‘Defender Europe 2025’, uroj që situata globale e sigurisë të jetë më e qetë”, shtoi kreu i shtetit.

Edi Rama

Kryeministri shqiptar Edi Rama, deklaroi se nuk ka pasur kurrë një kohë kur Shqipëria ka gëzuar nivel më të lartë të respektit ndërkombëtar.

Sipas Ramës, në fjalën e tij hapëse për këtë ngjarje madhore, e cila ndodh tashmë për të dytën herë brenda tre viteve në Shqipëri, ka disa aspekte që e bëjnë Shqipërinë të ndihet krenare për çfarë ka arritur.

Lidhur me organizimin, për Shqipërinë është një privilegj të jetë pritëse dhe pjesëmarrëse në të tilla ngjarje, në fjalët e kryeministrit.

Teksa, për të dytën herë, vihet në pah edhe përmirësimi i vazhdueshëm i kapaciteteve ushtarake, të cilat janë zhvilluar falë mbështetjes së gjerë amerikane dhe po ashtu falë aleatëve të tjerë të NATO-s.

Një arritje shumë e madhe, është gjithashtu hapja e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, ku përgatitjet e fundit po bëhet, duke e vendosur Shqipërinë në hartën rajonale të sigurisë dhe duke i dhënë rol të shtuar dhe peshë në ruajtjen e ekuilibrave politiko-ushtarakë të Ballkanit.

Niko Peleshi

Në vijim ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi theksoi se stërvitja “Defender Europe 2023” ka natyrë mbrojtëse por duhet theksuar se po zhvillohet në një kohë sprove, për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

“Një stërvitje e përmasave të jashtëzakonshme pas suksesit në stërvitjen e dy viteve tjera. Rikonfirmon bashkëpunimin e ngushtë që Shqipëria ka me SHBA-të. Forcat e armatosura janë pjesë e rëndësishme e kësaj stërvitje”, tha Peleshi.

Zyrtari i mbrojtjes shtoi se Shqipëria ka partneritet të fortë me Amerikën në fushën e sigurisë dhe mbrojtës, “gjë për të cilën ne jemi shumë krenarë”.

“Sot po përballojmë detyra drejtuese, koordinuese. S’është hera e parë që kolegët tanë stërviten me partneritetin tanë, por është një profesionalizëm i madh i tyre. Synimi ynë është se jemi në gjendje të përballojmë çdo sfidë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Vendet e Ballkanit perëndimor mbeten të palëkundura drejt rrugës euroatlantike. S’ka asnjë dyshim që këta popuj aspirojnë të bëhen pjesë e BE”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore