Shqipëria

Nis shpërndarja e teksteve falas për nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur në median sociale “Facebook” se ka nisur shpërndarja e teksteve falas për të gjithë nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare.

Risia e këtij viti, sipas autoriteteve, është se krahas nxënësve të klasave të para, edhe ata të klasave të dyta e të treta do të përfitojnë libra të rinj, pa qenë nevoja t’i dorëzojnë në fund të vitit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi vërejti se risia vjen si një kërkesë e vazhdueshme e mësuesve dhe prindërve për të shmangur vështirësitë e nxënësve të kësaj moshe për të mirëmbajtur librin, por edhe për të punuar lehtësisht me shënime mbi to.

Ky është një konkretizim tashmë tradicional i mbështetjes së qeverisë shqiptare për të pajisur nxënësit me burime cilësore të dijes, theksoi kreu i Qeverisë.

Më herët, Kushi vërejti se përfitues nga skema mbështetëse e teksteve falas do të jenë të gjithë nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare, si dhe nxënësit e 16 kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore