Kosova

Nis seanca ndaj Millan Jovanoviç-it, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile


Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ka nisur të mërkurën seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e Millan Jovanoviqit, i cili akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë.

Ai ishte polic në Ferizaj.

Më 12 dhjetor, Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte ftuar të paraqiten në seancë gjyqësore Millan Jovanoviç dhe Dejan Raçiç, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë.

Themelorja kishte thënë se Jovanoviç duhet të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate, që kjo çështje penale “të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar”.

Edhe Dejan Raçiç, i lindur në fshatin Videj në Klinë, i nacionalitetit serb, dyshohet se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Gjykata kishte bërë thirrje që “çdo informacion mbi vendndodhjen e Raçiç-it t’i komunikohet Policisë së Kosovës”.

Ndërsa më 20 shkurt, seanca ndaj rastit të Dejan Raciç – i cili po akuzohet për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë ka dështuar kjo për shkak të mungesës së prokurorit.

Këtë lëndë e ka përfaqësuar prokurorja Drita Hajdari, por pas pensionimit të saj të martën s’është paraqitur asnjë prokuror në seancë për ta përfaqësuar rastin.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore