Lajme

Dështon seanca ndaj Dejan Raciç, i akuzuar për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë


Foto: Albanian Post.

Seanca ndaj rastit të Dejan Raciç – i cili po akuzohet për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë ka dështuar kjo për shkak të mungesës së prokurorit.

Këtë lëndë e ka përfaqësuar prokurorja Drita Hajdari, por pas pensionimit të saj të martën s’është paraqitur asnjë prokuror në seancë për ta përfaqësuar rastin.

Raciç së bashku me Millan Jovanoviç, janë dy serbë të akuzuar  për krime lufte në Kosovë, të cilët Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës i kishte ftuar të paraqiten në gjykim për akuzuat të cilat i rëndojnë nga Prokuroria Speciale.

“Gjykata i bën thirrje të akuzuarit Dejan Raciq të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar më datë dhe kohë si më lartë (20.02.2024, në ora 09:30)”, thuhej në ftesën e Gjykatës.

Të dy akuzohen nga Prokuroria Speciale se kanë ushtruar dhunë seksuale ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat serbe kundër popullatës civile.

Nga viti 2020 deri në vitin 2023, janë ngritur 23 aktakuza për krimet e luftës në Kosovë nga viti 1998-1999.

Më 2 shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 13 vjet heqje lirie serbin, Dushko Arsiç, i akuzuar për krime lufte në fshatin Butovc të komunës së Prishtinës.

Sipas aktakuzës, Arsiç ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e shqiptarit Brahim Shala më 20 prill 1999 dhe se ka maltretuar fizikisht të dëmtuarin Artan Krasniqin.

Ndërkaq në nëntor të 2023-ës, nisi gjykimi i parë në mungesë për krime lufte në Kosovë, ndërsa mbajtja e gjykimeve në mungesë parashihet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.

Gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit dhe kjo mund të bëhet kur prokuroria dhe gjykata t’i kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore