Lajme

Nis lundrimin anija pioniere e mallrave me energji nga era


Një anije mallrash e pajisur me vela gjigante të projektuar nga Britania e Madhe është nisur në udhëtimin e saj të parë.

Firma e transportit Cargill, e cila ka marrë me qira anijen, shpreson se teknologjia do të ndihmojë industrinë të hartojë një kurs drejt një të ardhmeje më të gjelbër.

Velat e WindWings janë krijuar për të ulur konsumin e karburantit dhe gjurmën e karbonit të transportit.

Nga ana tjetër, vlerësohet se industria është përgjegjëse për rreth 2.1% të emetimeve globale të dioksidit të karbonit.

Udhëtimi i parë i Pyxis Ocean, nga Kina në Brazil, do të ofrojë testin e parë në botën reale të WindWings – dhe një mundësi për të vlerësuar nëse një kthim në mënyrën tradicionale të lëvizjes së anijeve mund të jetë rruga përpara për lëvizjen e ngarkesave në det.

Të palosur kur anija është në port, krahët hapen kur është në ujë të hapur. Ato janë 37.5 metra të larta dhe janë ndërtuar nga i njëjti material si turbinat me erë, për t’i bërë ato të qëndrueshme.

Mundësimi i një anijeje që të vihet në lëvizje nga era, në vend që të mbështetet vetëm në motorin e saj, mund të krijojë shpresat e reduktimit të emetimeve gjatë gjithë jetës së një anijeje mallrash me 30%.

Pyxis Ocean do të marrë rreth gjashtë javë për të arritur destinacionin e tij, por teknologjia që po përdor e ka origjinën në diçka shumë më të shpejtë.

Ai u zhvillua nga firma britanike BAR Technologies, e cila u nda nga ekipi i Kupës së Amerikës 2017 të Sir Ben Ainslie, një kompeticion i quajtur “Formula 1 e deteve”.

“Ky është një nga projektet më të ngadalta që kemi bërë, por pa dyshim me ndikimin më të madh për planetin”, ka thënë kreu i tij John Cooper.

Ai mendon se ky udhëtim do të jetë një pikë kthese për industrinë detare.

“Unë parashikoj se deri në vitin 2025 gjysma e anijeve të reja do të porositen me shtytje me erë”, ka vijuar ai.

“Arsyeja pse jam kaq i sigurt janë kursimet tona – një ton e gjysmë karburant në ditë. Kjo është 20 ton CO2 e kursyer në ditë, numrat janë të mëdhenj”.

Sakaq, inovacioni ka ardhur nga Britania e Madhe, por vetë krahët janë prodhuar në Kinë.

Cooper ka thënë se mungesa e mbështetjes së qeverisë në uljen e kostos së çelikut të importuar e pengon kompaninë t’i prodhojë ato këtu.

“Është turp, do të doja ta ndërtoja në Mbretëri të Bashkuar”, ka theksuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore