Lajme

Nis hetimi ndaj deputetit konservator, shikonte porno në Dhomën e Përfaqësuesve


Një hetim ka nisur ndaj një drejtuesi konservator, për të cilin mendohet se shikonte pornografi në telefonin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve.

Mbrëmjen e 25 prillit, deputetet konservatore zhvilluan një takim me Chris Heaton-Harris, për t’u ankuar për seksizmin në parlament.

Njëra prej tyre pretendonte se një koleg po shikonte pornografi pranë tyre, në Dhomën e Përfaqësuesve.

Grupi prej rreth 12 deri në 14 deputete gra ndanë përvojat e tyre të sjelljes seksiste mes deputetëve burra konservatorë.

Gjithashtu ato bënë thirrje për veprim kundër tre ministrave të kabinetit, të cilët thuhet se janë subjekt i hetimeve për sjellje të papërshtatshme seksuale.

Deputetja, e cila ngriti çështjen, nuk e përmendi emrin e deputetit, por sipas disa raportimeve ai ka parë pornografi si në dhomë, edhe gjatë një mbledhjeje të komisionit.

Kjo ngjarje vjen pas një proteste ndaj nënkryetares laburiste, Angela Rayner.

Të dielën u publikuan pretendime nga një deputete konservatore, se ka kryer lëvizje provokuese duke kryqëzuar këmbët si Sharon Stone në filmin Basic Instinct për të shpërqendruar kryeministrin Boris Johnson.

Rayner ka hedhur poshtë pretendimet.

Në mbledhjen e një grupi të njohur si “2022”, deputetet gra kërkuan veprim kundër seksizmit në Partinë Konservatore.

“Sunday Times”, përcjell Albanian Post, raportoi fundjavën e kaluar se një total prej 56 deputetësh – përfshirë dy ministra të kabinetit hije – janë raportuar në Skemën e Pavarur të Ankesave (ICGS).

ICGS, e cila kuptohet se po trajton 70 ankesa të veçanta që datojnë nga viti 2018, u krijua në vazhdën e lëvizjes “MeToo” dhe pasi parlamentarët, përfshirë Michael Fallon dhe Charlie Elphicke, u përballën me një sërë akuzash në lidhje me përbuzjen dhe sjelljen e keqe seksuale.

Sindikata FDA, e cila përfaqëson nëpunësit civilë, tha se ishte koha për të “shikuar përsëri” marrëdhëniet e punës midis deputetëve dhe stafit të tyre.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore