Lajme

Nigeria dhe Rusia nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi ushtarake


Muhammadu Buhari dhe Vladimir Putin

Nigeria dhe Rusia kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak, sipas së cilës sigurohet një kuadër ligjor për furnizimin e pajisjeve dhe trajnimin e trupave.

Ky është njoftimi që vjen nga Ambasada Nigeriane në Moskë.

Presidenti Muhammadu Buhari kishte shprehur interes për një pakt të tillë me Rusinë qysh në vitin 2019, kur u takua me homologun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë një samiti Rusi-Afrikë.

Në atë kohë, ambasadori nigerian në Rusi tha se Buhari mendonte se Rusia mund të ndihmonte në mposhtjen e kryengritjes islamike “Boko Haram” në verilindje të vendit, e cila mbetet një problem i madh.

“Marrëveshja për Bashkëpunimin Ushtarak-Teknik midis të dy vendeve siguron një kuadër ligjor për furnizimin e pajisjeve ushtarake, ofrimin e shërbimeve pas shitjes, trajnimin e personelit në institucionet arsimore përkatëse dhe transferimin e teknologjisë, ndër të tjera”, tha ambasada nigeriane në një deklaratë për media.

Ky pakt, sipas ambasadës nigeriane, është një zhvillim historik në marrëdhëniet dypalëshe midis Abuja dhe Moskës.

Nigeria tashmë përdor disa avionë luftarakë dhe helikopterë rusë, së bashku me pajisjet ushtarake të blera nga fuqitë perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Agjencia e lajmeve “Reuters”, gjatë muajit korrik, kishte raportuar se ligjvënësit amerikanë kishin vendosur një propozim për të shitur gati 1 miliard dollarë armë në Nigeri, për shqetësimet në lidhje me abuzimet e mundshme të të drejtave të njeriut nga qeveria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore