Lajme

Nicolas Sarkozy, nga dënim me burg – një vit arrest shtëpie


Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, u dënua të enjten e 30 shtatorit me një vit burg.

Por, sipas gjykatësit, ai mund ta vuajë dënimin në arrest shtëpie.

66-vjeçari u shpall fajtor nga Gjykata në Paris, me akuzat se ka shpenzuar me miliona euro më shumë sesa lejohej në fushatën zgjedhore.

Tanimë, Gjykata do të lejojë që ish-presidenti të vuajë dënimin në shtëpi, duke veshur një byzylyk elektronik monitorimi.

Sarkozy, i cili shpenzoi gati dyfishin e limitit ligjor në ofertën e tij të dështuar për një mandat të dytë në detyrë, nuk ishte i pranishëm në Gjykatën e Parisit për shpalljen e vendimit.

Disa minuta pasi u shpall dënimi, avokati i Sarkozy, Thierry Herzog, tha se do të apelonte vendimin – erdhi gjashtë muaj, pasi ai u shpall fajtor për korrupsion në një gjyq të veçantë.

Sarkozy, në dijeni të shkeljeve që po kryente

Gjykata deklaroi se Sarkozy “e dinte”, javë para zgjedhjeve të 2012-s, se kufiri ligjor ishte në rrezik dhe nuk arriti të mbikëqyrte shpenzimet shtesë, me prokurorët që e akuzuan atë se kishte injoruar dy shënime nga kontabilistët e tij që paralajmëronin për çështjen e parave.

Prokurorët argumentuan se Sarkozy është “personi i vetëm përgjegjës për financimin e fushatës së tij” dhe se ai zgjodhi të tejkalojë kufirin, duke organizuar shumë tubime, përfshirë ato gjigante.

Sarkozy u tërhoq nga politika aktive në vitin 2017, por ende po luan një rol në prapaskenë.

Mediat franceze kanë raportuar se ai është i përfshirë në procesin e zgjedhjes së një kandidati konservator përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë vitin e ardhshëm.

Helikopterët, kontrata me Kazakistanin

Një tjetër hetim është hapur nga prokuroria për marrëveshjen 2.5 milionë dollarëshe, që u nënshkrua midis Francës dhe Kazakistanit, kur president ishte Nicolas Sarkozy.

Kontrata, e nënshkruar në vitin 2010 midis Kazakistanit dhe kompanisë franceze “Eurocopter” për shitjen e 45 helikopterëve.

Dyshohej se kjo kontratë ka qenë një objekt i pastrimit të parave ose i retrokomisioneve.

Sidoqoftë, Nicolas Sarkozy mori pjesë në negocimin e kësaj kontrate ndërkombëtare si kryetar i shtetit.

Hetuesit dyshuan gjithashtu, që ekipi i ish-presidentit bënte presion në senatin belg, për të marrë një vendim të favorshëm për tre biznesmenët me origjinë nga Kazakistani. Këta biznesmenë po ndiqeshin penalisht në këmbim të nënshkrimit të kontratës midis dy shteteve të lartpërmendura.

Një hetim zyrtar u hap në vitin 2013, pasi dyshohej për pastrim parash. Sarkozy nuk u mor kurrë në pyetje nga të afërmit. Ndërkohë që disa të afërm të tij si Claude Guéant u morën në pyetje.

Udhëtimet me avionë

Gjatë kontrollit të një tjetër çështjeje, gjykatat zbuluan se në vitin 2014, faturat e disa fluturimeve private të ish-presidentit ishin paguar nga kompania e mikut të tij, Stéphane Courbit, LOV Group.

Në këtë fotografi të datës 2 maj 2012, ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, shihet në ekranin e murit, gjatë debatit televiziv me rivalin e Partisë Socialiste, Francois Hollande, në studion televizive TF1

Nicolas Sarkozy nuk u hetua kurrë gjatë hetimit të dosjes. Kjo dosje hidhte dyshime, të pabazuara, të abuzimit të pasurive të korporatave në dëm të Lov Group. Hetimet u mbyllën në vitin 2016.

Bernard Tapie dhe arbitrazhi

Nicolas Sarkozy ishte president në 2008, kur shteti francez pranoi të paguante 404 milionë euro, gjatë një arbitrazhi. Kjo shumë iu kompensua biznesmenit Bernard Tapie. Kjo shumë u pagua si kompensim ndaj dëmit që pretendohet se pësoi gjatë shitjes së Adidas-it, në vitin 1993.

Arbitrazhi, i dëmtuar nga manipulimi, u anulua nga gjykatat në 2015. Më pas, Bernard Tapie urdhëroi rimbursimin. Christine Lagarde, e cila i kishte dhënë dritën jeshile arbitrazhit si Ministre e Ekonomisë, u dënua në vitin 2016 për “neglizhencë” nga Gjykata Franceze e Drejtësisë.

Në këtë dosje, Sarkozy, refuzoi të shkonte për të dëshmuar, duke u fshehur pas imunitetit të tij presidencial. Për shkak të imunitetit, ai nuk u mor kurrë në pyetje. Edhe pse gjykatësit prej kohësh në dyshim afërsinë e Bernard Tapie dhe rolin që mund të ketë luajtur gjatë arbitrazhit.

Bernard Tapie
Sondazhet e Elysée-së

Gjatë presidencës së Nicolas Sarkozy-së, dyshohet se Elysée-ja ka nënshkruar disa kontrata të parregullta për realizimin e sondazheve. Elysée-ja zhvilloi sondazhet me kompanitë e dy këshilltarëve të presidentit, përkatësisht Patrick Buisson-in dhe Pierre Giacometti-n.

Në vitin 2019, gjykata hetoi edhe 6 persona të tjerë (përfshirë dhe dy të afërm të Nicolas Sarkozy-së).

Data e gjykimit të tyre nuk është vendosur ende. Sarkozy nuk mund të vihej në shënjestër nga gjykatësit, pasi çështja kishte ndodhur gjatë mandatit të tij.

Edhe këtë radhë, për shkak të imunitetit presidencial, ai refuzoi të dëshmonte në vitin 2016.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore