Lajme

Ngritja e çmimeve të konsumit, fajtor varësia nga importi


Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

Njëra ndër arsyet kryesore të ngritjes së çmimeve është importi i lartë në Kosovë.

Zëvendës udhëheqësi i Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Zef Dedaj, e ka shpjeguar pse ka ndodhur shtrenjtimi i çmimeve.

“Jemi të informuar të gjithë se kjo rritje nuk ka ardhur nga Kosova, por po importojmë inflacionin nga vendet ndërkombëtare, e rrjedhimisht nëse importojmë produkte industriale po importojmë rritje të çmimeve”.

“Rritja e çmimeve të naftës ka ndikuar edhe në rritjen e shërbimeve të transportit”, tha Dedaj në një tryezës të diskutimit për “Ngritjen e çmimeve në treg dhe mbrojtja e konsumatorit”.

Dedaj ka treguar se nga janari kanë pranuar 19 ankesa nga konsumatorët.

“Nga janari kemi pranuar 19 ankesa nga konsumatorët, dhe vetëm në shtator 4 ankesa që mund të themi që janë pak”, tha tutje ai.

Ndërsa, Dardan Abazi nga INDEP ka thënë se ky institut e ka futur në programin e vet mbrojtën e konsumatorëve, duke treguar se konsumatorët po ankohen për çmimet e konsumit.

“Ngritja e çmimeve të jashtëzakonshme që janë bërë kohëve të fundit edhe çmimi i energjisë dhe çmimet bazë të konsumit ka bërë që një pjesë e madhe e konsumatorëve të ankohet”.

Sipas Abazit, mbrojtja e konsumatorëve është në dobi të vendit por edhe të bizneseve.

“Mbrojtja e konsumatorëve është në dobi të vendit por edhe të bizneseve duke rritur kështu aktivitetin ekonomik përmes cilësisë. Ngritja e lartë e çmimeve ka bërë që konsumatorët të zgjedhin në mes të të ngrënit dhe situatës së vështirë të jetës së tyre, pasi shumë nga ta janë në nevojë”, tha tutje Abazi.

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Sakip Imeri, ka thënë se autoriteti që ai përfaqëson nuk ka mandat që të bëjnë vendosjen e çmimeve ose t’i mbikëqyrin çmimet.

Gjithashtu Imeri ka treguar faktin se ky autoritet është pa bord që nga muaji qershor i këtij viti.

Imeri ka treguar se Kosova nuk ka prodhues të vajit dhe ka shtuar se është “situatë është për keqardhje”, por sipas tij ka vetëm ambalazhues të vajit.

“Në Kosovë nuk ka pozitë dominuese që e prodhojnë këtë produkt, ku një biznes dominon 25 % dhe nuk ka keqpërdorim”, tha ai.

Imeri ka treguar se janë duke hulumtuar tregun për ta parë mundësin e manipulimit nga bizneset.

“Ne jemi në hulumtim të tregut të produkteve ushqimore, tek shporta ushqimore, dhe tek transportit ndër urban, nëse ka qenë me marrëveshje, mes palëve, është roli i autoritetit që thellojë hetimet dhe mund të vijë deri tek ndëshkimi”, tha Imeri.

Kurse, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se çështja e trajtimit të konsumatorëve do duhej të ishte në fokus jo vetëm tash që ka ngritje të çmimeve të produkteve.

“Çështja e trajtimit të konsumatorëve në vendet e jashtme janë tema permanente dhe që përcjellën me politika më të mira. Kjo temë po ndikohet tash vetëm nga ngritja e çmimeve, por që duhet të ketë rëndësi më shumë”, ka thënë Rukiqi.

Sipas tij , inflacioni ka edhe kundër efekt sepse duhet të stabilizohen çmimet.

Nga ana tjetër, Agim Shahini, Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka treguar situata dhe ngritja e çmimeve është pa strategji.

“Aleanca Kosovare e Bizneseve e vlerëson se për qytetaret dhe bizneset kjo situatë është pa strategji. Sipas qeverisë faji është i bizneseve e që është e gabuar krejt kjo”, tha Shahini.

Ai ka potencuar se “Kosova nuk ka asnjë produkt bazik që do mund të plotësonte kërkesat bazike të tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore