Lajme

Ngrihet aktakuzë ndaj Pantiç-it dhe tre të tjerëve, dyshohen për kryerje të “veprës terroriste”


Dejan Pantiç

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-policit të Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i akuzuar për sulme terroriste, si dhe tre personave të tjerë për shkak të sulmit në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.

Ngritja e aktakuzës ndaj Pantiç-it dhe tre të tjerëve vjen pak kohë pasi që ish-polici serb i Kosovës ishte liruar nga arresti shtëpiak (më 20 tetor), pasi që kishte deponuar dorëzaninë në shumë prej 30 mijë euro.

“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit M.M, A.V, D.P dhe M.V., në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhorë në Mitrovicën e Veriut në rrugën ‘Kollashinska’, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, të detyrimit të padrejtë të një organi publik në këtë rast KQZ-së, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës…”.

“…për derisa zyrtarët e KQZ-së, së bashku me zyrtarë policorë kanë shkuar për të hapë zyrën, këta të pandehur me persona të tjerë ende të pa identifikuar kanë kryer  sulm terrorist duke hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së lartë përmendur me ç’ rast njëra granatë dhe dy shok bombat kanë shpërthyer ku si rezultat i kësaj janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe është rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve të KQZ-së, dhe zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këtë bashkëkryerje, siç njofton Prokuroria, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”.

Çështja e Pantiç-it

Ish-polici serb i Kosovës, Dejan Pantiç, fillimisht kishte qëndruar në paraburgim nga 12 dhjetori i vitit 2022, ndërsa më 28 dhjetor të po atij viti kjo masë i ishte zëvendësuar me arrestin shtëpiak.

Mirëpo, edhe kjo masë atij i ishte larguar më 20 tetor, pasi që kishte paguar shumën e dorëzanisë prej 30 mijë eurosh.

Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës me 10 vjetor të 2022 për sulmet që kishte bërë në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë të Veriut.

Sulmi kishte ndodhur gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas ishin shtyrë për 23 prill 2023.

Për të kundërshtuar këtë vendim në Veri ishin ngritur barrikada për rreth 20 ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore