Lajme

Ngjarja që tronditi Pejën të mërkurën mbrëma


Të mërkurën mbrëma, rreth orës 20:20 një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Pejës.

Dy persona mbetën të vdekur dhe një u plagos pas disa të shtënave me armë në këtë qytet.

Ngjarja është zhvilluar në afërsi të shkollës ekonomike ‘Ali Hadri’ në Pejë, ku janë dëgjuar disa të shtëna me armë, pas të cilave policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Si pasojë e të shtënave tre persona kanë pësuar lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë. Nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e dy viktimave të këtij rasti”, ka thënë Policia Rajonale këtij qyteti.

Në vendin e ngjarjes përveç Policisë, ka dalë edhe prokurori i shtetit të cilët së bashku “po kryejnë ekzaminimet në vendin e ngjarjes”, duke filluar kështu edhe hetimet e kësaj ngjarje.

Pas raportimit të ngjarjes, Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, zbuloi edhe dy emrat e personave të cilët ndërruan jetë në Spitalin e Pejës.

Bëhet fjalë për Astrit Ademaj, kandidat për Kryetar të Komunës së Pejës nga radhët e PDK-së në zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe i vdekuri i dytë është Blerand Kadrijaj, ish kandidat për Kryetar të Kounës së Deçanit në zgjedhjet e 2017-tës.

“Jam shumë i tronditur me vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur minuta më parë në Pejë, me ç ‘rast u vrit dhe kandidati për Kryetar të Komunës së Pejës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj”, ka shkruar kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në llogarinë e tij në facebook duke i shprehur ngushëllime familjeve për “për humbjen e dy jetëve të reja”. Në këtë status Muhaxheri publikoi edhe fotografinë e të Astrit Ademajt.

Astrit Ademaj, kandidati për Kryetar të Komunës së Pejës nga radhët e PDK-së.

“Na këpute në shpirtë Blerand Kadrijaj”, kishte shkruar në profilin e tij në facebook kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, duke i bashkëngjitur edhe fotografinë e ish-kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të këtij qyteti në zgjedhjet e vitit 2017.

Blerand Kadrijaj, ish kandidat për Kryetar Komune në Deçan

I plagosuri në këtë rast, raportohet të jetë Avni Ademaj, vëllai i Astrit Ademajt i cili sipas mjekut kujdestar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, Sadri Berisha, ka marrë trajtimin e duhur mjekësorë dhe është liruar.

“Është i plagosur në dorë gjendja e tij është stabile. Është i liruar prej anës mjekësore”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka njoftuar se dy të vdekurit ishin sjelle pa shenja jete në spital.

Vëllai i tashmë të ndjeri, Astrit Ademaj, është arrestuar nga Policia e Kosovës, ka njoftuar Ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla.

“ Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë është qenësore. Prandaj, jemi të përkushtuar, që me të gjitha kapacitetet të zbardhim rastin. Ngjarjet e tilla të dhunës me armë duhet të marrin fund”, ka shkruar Sveçla duke shprehur angazhimin e tij për të siguruar që “Policia e Kosovës të ketë të gjitha resurset e nevojshme për të zbardhur rastin dhe ofrojë siguri për qytetarët”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për vrasjen e dyfishtë në qytetin e Pejës dhe ka kërkuar nga organet e rendit që të punojnë intensivisht në zbardhjen e vrasjes.

“Me trishtim e mora lajmin për ngjarjen e sontme tragjike në Pejë, në të cilën humbi jetën një kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës dhe ish-kandidat për kryetar të Deçanit”, ka shkruar në facebook Presidentja, duke i ngushëlluar familjet e të vrarëve dhe PDK-së.

“Ftoj organet e rendit për zbardhje të rastit të kësaj vrasje të dyfishtë!”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani.

I tronditur nga kjo vrasje e dyfishtë në Pejë u shpreh edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Sipas konfirmimit zyrtar të Policisë së Kosovës në vendin e ngjarjes kanë mbetur të vrarë dy qytetarë të vendit tonë, kandidati për kryetar të komunës së Pejës, A. A., dhe, ish kandidati për kryetar të Deçanit, B. K., të dy nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar në llogarinë e tij në facebook, Kurti.

“U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, miqve dhe bashkëpunëtorëve nga Partia Demokratike e Kosovës. Në këto momente të vështira bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre për këtë humbje kaq tragjike” ka vazhduar shkrimin Kryeministri Kurti, duke kërkuar nga organet e rendit që ky rast të zbardhet sa më shpejt.

Partia të cilës iu shuan dy emra të rëndësishëm, njëri ish kandidat e tjetri kandidat potencial për të fituar garën në zgjedhjet e 17 tetorit, është shprehur “e tronditur nga lajmi tragjik për vrasjen e dyfishtë në Pejë”.

Partia Demokratike e Kosovës, përmes facebook, u shpreh ngushëllime familjeve të të vdekurve dhe “në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre e lutemi që të gjejnë forcën që të përballin humbjen e rëndë”, thuhet në postimin e PDK-së.

Me rastin e vrasjes së dyfishtë në Pejë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka dërguar telegram ngushëllimi.

“Të gjithë jemi tronditur nga vrasja e dyfishtë që ndodhi sonte në Pejë. U shpreh ngushëllime familjeve Ademaj dhe Kadrijaj si dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, për humbjen e dy zyrtarëve të saj”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore