Shqipëria

Nga zgjedhjet vendore në Shqipëri te marrëveshja Kosovë-Serbi, rrëfehet Gabriel Escobar


Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-ve për Çështjet Evropiane, Gabriel Escobar u ndal te zhvillimet në rajon si për të lajmëruar se vizita e tij në Tiranë nuk lidhej vetëm me zgjedhjet vendore të 14 majit.

Fillimisht, zyrtari amerikan deklaroi se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ishte “historike”.

Lajmi u bë i ditur gjatë një interviste për transmetuesin “Top Channel”.

“Vizita ime këtu (Shqipëri – ed) nuk është absolutisht e lidhur me zgjedhjet lokale. Është pjesë e konsultimeve të rregullta që kemi me aleatët e ngushtë. Dhe Shqipëria është një aleate e ngushtë. Më duhet të them se për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë Marrëveshje të re të Normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy partnerëve që nuk kanë pasur shumë besim”, theksoi Escobar.

Sipas tij, marrëveshja, e cila u bë e mundur nga Bashkimi Evropian, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u mbështet pothuajse në çdo aspekt nga vendet e rajonit.

“Negociatat u zhvilluan në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen e tyre. Por ajo u mbështet edhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kroacisë dhe të tjerë në rajon. Dhe ne shohim një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në stabilitetin rajonal. Dhe kjo është e vërtetuar”, shtoi ai.

Zgjedhjet vendore

Escobar, vërejti gjithashtu gjatë intervistës se marrëdhënia e autoriteteve amerikane ka në fokus popullin shqiptar dhe jo të partive politike apo ndonjë personi në veçanti.

“Shiko, unë mendoj se të gjitha partitë politike kanë një detyrim ndaj njerëzve që të sigurohen që kandidatët të mos jenë të korruptuar, që ata të kenë në zemër interesat e njerëzve. Ne nuk jemi në gjendje të zgjedhim kandidatë apo anëtarë të partive politike. Marrëdhënia jonë me Shqipërinë është me popullin e Shqipërisë, jo me një parti dhe jo me një person”, vijoi zyrtari amerikan.

Sipas tij, kur pyetet nëse do të ketë një reagim nga Shtetet e Bashkuara “nëse partitë nuk janë të pastra, nëse kandidatët nuk i përmbushin standardet më të larta të anti-korrupsionit dhe të gjitha standardet e tjera demokratike, reagimi duhet të vijë nga njerëzit, jo nga Shtetet e Bashkuara”.

“Kjo është një punë për popullin e Shqipërisë, jo për Shtetet e Bashkuara”, nënvizoi Escobar.

Përcaktimet non-grata

I dërguari për Ballkanin Perëndimor preku edhe temën e personave të shpallur ‘non grata’ nga autoritetet amerikane dhe nëse do të ketë përcaktime të tjera në vijim.

“Shiko, kjo ka tre pjesë. Dua të them, para së gjithash, ne nuk i shfaqim paraprakisht veprimet tona për sanksionet, ndaj në fakt nuk mund të flas për këtë. Gjëja e dytë është se ne jemi shumë të përkushtuar për të përdorur çdo mjet që kemi, përfshirë sanksionet, për të luftuar korrupsionin në botë”, sqaroi Escobar.

Sipas tij, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, korrupsioni është e vetmja çështje që përshkon të gjitha vendet e rajonit.

“Por së treti, e dini, marrëdhënia jonë me Shqipërinë nuk ka të bëjë me sanksionet. Marrëdhënia jonë është një partneritet i pjekur midis dy partnerëve të barabartë në një aleancë dhe në një partneritet strategjik dypalësh. Pra, a i ngelet në fakt Shteteve të Bashkuara të bëjë këto përcaktime?”, pyet zyrtari amerikan.

Referuar kësaj të fundit, ai sqaron se i takon institucioneve të Shqipërisë të hetojnë korrupsionin dhe ta ndjekin penalisht kudo munden.

“Kjo është arsyeja pse reforma në drejtësi është kaq e rëndësishme, sepse nuk na takon neve ta bëjmë këtë punë në emër të popullit shqiptar. Ata kanë aftësinë ta bëjnë vetë. Dhe këto qeveri dhe çdo qeveri, qoftë kjo apo pasardhësja e saj, ka një detyrim ndaj njerëzve që të sigurojë që kjo të ndodhë”, siguroi Escobar.

Sali Berisha – e kaluara

Escobar, i pyetur për shpalljen e ish-kryeministrit Sali Berisha si person non grata, u shpreh se nuk ka ndodhur në asnjë vend që një person me anë të zgjedhjeve të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tij, pra të pastrojë figurën e tij politike.

“Para së gjithash, mendoj se pozicioni ynë për këtë individ të veçantë është shumë i qartë. Por unë do të thosha se nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tyre prej Departamentit të Shtetit sipas legjislacionit tonë. Po, thënë kjo, unë mendoj se Shqipëria ka një të ardhme vërtet të jashtëzakonshme dhe duhet të fokusohet tek e ardhmja”, theksoi zyrtari amerikan.

Sipas tij, ka shumë njerëz që do të donin ta tërhiqnin atë në të shkuarën dhe unë nuk mendoj se ky është një vend ku Shqipëria dëshiron të shkojë.

Yuri Kim

“Disa nga ambasadorët amerikanë në rajon janë vënë nën sulm personal”, pohoi në “Top Story” zyrtari i lartë amerikan.

Sipas Escobar-it kjo është një gjë e pajustifikuar dhe nuk ka të bëje me çështje personale por çështje politikash.

“Do të thosha se në rajon, të gjithë ambasadorët tanë veprojnë me mbështetjen e plotë të Sekretarit të Shtetit dhe Presidentit. Të gjithë ata po veprojnë në përputhje me vlerat dhe politikat tona. Dhe është për të ardhur keq që disa nga ambasadorët tanë në rajon janë vënë nën sulm personal. Para së gjithash, mendoj se është e pajustifikuar. Por së dyti, mendoj se është gjithashtu jo-diplomatike, sepse ajo që po bën ambasadorja jonë është pikërisht ajo që Sekretari dëshiron të bëjë”, tha Kim.

Ai dha gjithashtu opinionin e tij personal për Yuri Kim-in, duke thënë se “kemi një nga ambasadorët më të mirë të Shërbimit të Jashtëm që shërben në Shqipëri”.

“Pra, nuk është një çështje personale. Është diçka profesionale”, garantoi Escobar.

Open Balkan

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan ravijëzoi sërish mbështetjen për nismën ‘Open Balkan’.

Sipas diplomatit amerikan, kjo është një nga përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar më pranë fqinjëve dhe në Bashkimin Evropian.

“Ne mbështesim nismën e Ballkanit të Hapur, mbështesim përpjekjet tuaja për t’u integruar më pranë fqinjëve tuaj dhe në Bashkimin Evropian. Ne vërejmë shumë gjëra pozitive. Tani, ka ende gjëra që mund të bëni që do të ndihmonin në përmirësimin e klimës së investimeve, veçanërisht në lidhje me gjykatat tregtare dhe pavarësinë e gjyqësorit”, tha Escobar.

Sipas tij, tregtia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë po lulëzon dhe po rritet në mënyrë domethënëse çdo vit.

“Mendoj se eksportet shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara janë trefishuar vitin e fundit. Dhe investimet amerikane në rajon, veçanërisht në sektorin e energjisë, janë rritur ndjeshëm. Tani për tani, marrëdhënia tregtare është vërtet në rrugën e duhur dhe ne shohim gjëra të rëndësishme që po ndodhin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, garantoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore