Lajme

Nga pijet helmuese te iPhone të minuar: Paranoja e shfrenuar mes rusëve për luftën


“Një fëmijë rus piu limonadë të prodhuar në Ukrainë dhe tani është në kujdes intensiv”.

“Disa vajza ruse, të cilat hëngrën karamele të ofruara nga vajzat ukrainase, u sëmurën dhe njëra vdiq”.

“Nëse shihni objekte në tokë, kuleta, pasaporta, iPhone, mos i ngrini. Ato mund të jenë të minuara nga infiltrues ukrainas”.

Këto janë vetëm disa nga legjendat urbane, që kanë qarkulluar javët e fundit në bisedat e prindërve rusë dhe sipas antropologes Aleksandra Arkhipova, këto janë një shenjë se lufta ka filluar të ndihet dhe t’i frikësojë rusët e zakonshëm.

“Këto janë legjenda urbane të lashta dhe ndërkombëtare, të cilat zgjohen nga frika, për të racionalizuar një luftë të pakuptimtë. Ato janë një simptomë e shqetësimit social”.

Lufta në Ukrainë ka hapur edhe një front simbolik, ku regjimi po luftohet nga ajo që Arkhipova e quan “protesta e të dobëtëve”, një “rezistencë semiotike”, objektivi kryesor i së cilës është të thyejë realitetin e krijuar nga gjuha e censuruar e qeverisë.

Totalitarizmi i ri rus i ka zgjeruar në mënyrë drastike kufijtë e represionit, tha ajo, “nëse deri tre muaj më parë rusët arrestoheshin gjatë protestave, tani edhe refuzimi i respektimit të retorikës zyrtare është krim”.

Përplasja kalon nga rrethanat publike, si sheshi, në jetën e përditshme, ku “‘partizanët semiotikë’ kanë hapur një front mikroaktesh subversive që synojnë të krijojnë disocime njohëse te qytetarët e përmbytur nga propaganda”.

Tani interneti është kufiri i ri i protestës, por edhe i studimit të moralit popullor.

Arkhipova vëren një ndryshim të dukshëm në gjuhën e mbështetësve të luftës, duke theksuar se, nëse në javët e para ata “adoptuan retorikën zyrtare për ‘nazistë’ dhe për të çliruar Donbasin, sot ata priren të distancohen”.

Ata, vijon më tej studiuesja, kohët e fundit përdorin argumente të tilla, si “ne jemi të vegjël, ata e dinë se çfarë po bëjnë, Putini ka arsyet e tij”.

Në përgjithësi, vërejmë se ata që protestojnë kundër luftës kanë më shumë ndjekës se sa mbështetësit e regjimit.

“Kush e mbështet Putinin atëherë?”, pyet Arkhipova.

“Të moshuarit. Regjimi ka vënë bast gjithçka për nostalgjikët e vjetër, duke u ofruar atyre një BRSS-2 që tani po rindërtohet edhe në detajet më absurde. Por, askush në histori nuk ka arritur të fitojë kundër të rinjve”.

Marrë nga La Stampa, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore